Konjufca: E ardhmja e Kosovës është në BE dhe NATO, jo në iniciativat e Serbisë s’i “Ballkani i Hapur”
Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka takuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca gjatë këtij takimi ka përsëritur qëndrimin se Kosova është e hapur për bashkëpunim rajonal, por vetëm mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe përfshirjes së BE-së.
“Për Republikën e Kosovës janë të papranueshme iniciativat e Serbisë, sikur i ashtuquajturi “Ballkani i Hapur”, që synojnë të anashkalojnë Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. E ardhmja e shtetit tonë dhe e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Konjufca.
Kreu i Kuvendit ka falënderuar presidentin Meta për kontributin e madh të shtetit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe përkrahjen e vazhdueshme në proceset e saj të shtetndërtimit.
Meta konfirmoi zotimin se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të Kosovës.
Kryetari Konjufca dhe presidenti Meta ritheksuan nevojën e bashkëpunimit intensiv dhe bashkërendimit më të ngushtë të politikave zyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë në të ardhmen.
Presidenti Meta u shpreh se kanë një festë të madhe atë të 28 nëntorit.
Ndërkaq, për zgjedhjet në Kosovë i tha kryeparlamentarit që ishin demokratike.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vizituar edhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj me bashkëpunëtorë.
Kreu i AAK-së, i ka uruar presidentit Meta Festën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
Ndërsa, Meta e ka uruar Haradinaj për mbajtjen e zgjedhjeve siç ka thënë ai më “demokratike në botë”.
Po ashtu, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Në këtë takim vëllazëror, me Presidentin Meta diskutuam për prioritetet dhe sfidat e dy shteteve tona, për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe për rrugën e përbashkët drejt integrimit evropian”, ka shkruar Krasniqi.
“Po ashtu, Presidenti Meta na uroi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për rezultatin e PDK-së në zgjedhjet komunale”, ka pohuar Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka thënë se e vlerëson bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqiperisë si shumë të rëndësishëm.
“PDK e vlerëson si tepër të rëndësishëm e pa alternativë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe si parti lidere e opozitës do të jap kontributin e saj në çdo formë e në çdo proces që ka këtë synim”.
Është bërë e ditur se më pas Meta do të takohet edhe me kreun e Qeverisë së Kosovë, Albin Kurti.
Me presidentin e Shqipërisë është takuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria çdo rrugëtim duhet ta kenë në sinkron të plotë politik.
“Biseduam hapur për vizionin tonë të përbashkët drejt një të ardhme më të shëndoshë të shqiptarëve në rajon; perspektivën euroatlantike të dy shteteve, dhe kontributin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë rrugëtim”.
“Kosova dhe Shqipëria çdo rrugëtim duhet ta kenë në sinkron të plotë politik”, ka thënë Abdixhiku.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
“Pikë Uji” – Një pasqyrë pa dashur të mbajë anë, thotë skenaristja Ajola Daja për Albanian Post
-
Shqipëria jep 5 milionë euro për investime në bujqësi në 2024
-
Kush ishte Ibrahim Aqil – komandant i njësive elitare të Hezbollahut – i vrarë nga një sulm izraelit
-
Kurti do të marr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë