Lajme

Aksidenti tragjik në Bullgari, reagon Von der Leyen: Evropa solidarizohet me ju


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

“Në këto kohë të vështira, Evropa qëndron në solidaritet me ju”.

Kështu, ka reaguar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas aksidentit tragjik të ndodhur në orët e para të 23-nëntorit në Bullgari, ku mbetën të vdekur të paktën 46 persona, ndërsa 45 prej tyre ishin shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Presidentja der Leyen përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter, u ka shprehur ngushëllime të afërmve të viktimave.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe miqtë e viktimave të aksidentit tragjik të autobusit në Bullgari mbrëmë. Uroj gjithashtu shërim të shpejtë për të plagosurit”, ka shkruar ajo.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, teksa u ka shprehur ngushëllime familjarëve që humbën të dashurit e tyre, ka thënë se lutjet e tij shkojnë për ata që mbetën të lënduar.

“Lajm i tmerrshëm për aksidentin tragjik të autobusit në Bullgari në orët e para të mëngjesit. Lutjet dhe ngushëllimet e mia janë me familjet dhe miqtë e atyre që vdiqën, si dhe me njerëzit dhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Iu uroj shërim të shpejtë të lënduarve”, ka shkruar ai.

Të menjëhershme kanë qenë reagimet nga liderët kosovarë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aksidentit tragjik në Bullgari, ndërsa përmes një postimi në Facebook, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

Mes tjerash, Kurti, ka theksuar se Kosova është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj në çdo kapacitet.

Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës

“I trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, dhe u bashkohem lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

E trishtuar nga lajmi tragjik është shprehur edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.

Ajo është zotuar t’iu qëndrojë afër shteteve të prekura nga kjo fatkeqësi, teksa ka rikujtuar aksidentin e ndodhur në Kroaci, në korrikun e këtij viti, ku humbën jetën 10 persona me prejardhje nga Kosova dhe mbeten të plagosur dhjetëra të tjerë.

“U shprehim ngushëllime popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore