Kosova

Lista Serbe: Kurti po rrezikon paqen dhe qetësinë e qytetarëve me deklaratën për bashkim me Shqipërinë


Goran Rakiç

“Kurti ka treguar fytyrën e tij të vërtet. Deklaratat e tilla anti-evropiane rrezikojnë paqen dhe qetësinë e qytetarëve”.

Kështu ka reaguar Lista Serbe përmes një statusi në Facebook kundër deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për revistën britanike, “Monocle” , se ai do të votonte pro bashkimit me Shqipërinë në një referendum paqësor e demokratik.

Sipas tyre, i pari i ekzekutivit përmes kësaj deklarate e rithekson dëshirën e tij për krijimi e një Shqipërie të Madhe kështu duke e anashkaluar krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë të cilën e kishte cilësuar si formacion një-etnik.

“I njëjti Albin Kurti që foli kundër Asociacionit të Komunave Serbe si bashkësi monoetnike, tani po flet për Shqipërinë e Madhe, e cila nuk do të ishte asgjë më shumë se një krijim monoetnik”, thuhet në reagimin e Listë Serbe në Facebook.

Partia e cila drejtohet nga Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti, Goran Rakiç, ka kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian në lidhje me deklaratën e shefit të tij.

“Ne pyesim veten se çfarë tjetër duhet të ndodhë që Bashkimi Evropian, por edhe vendet e shquara të Evropës Perëndimore, të reagojnë ndaj deklaratave të tilla anti-evropiane që rrezikojnë drejtpërdrejt paqen dhe qetësinë e qytetarëve”, vazhdon komunikata.

Lista serbe më tej ka bërë të ditur se dënon ashpër deklaratat e Kurtit, të cilat i quajti irracionale dhe tha se “shkaktojnë ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët”.

“Lista Serbe dënon ashpër këto deklarata irracionale, të cilat shkaktojnë ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët dhe që u konfirmojnë atyre se kreu i Qeverisë është një person jashtëzakonisht i papërgjegjshëm, i cili nuk është i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij dhe as për situatën në Ballkanin Perëndimor”, përfundon komunikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore