Kosova

“Më i mirë është varri se sa mos me ditë”


Gjatë ditës së enjte, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka prezantuar ekspozitën “Më i mirë është varri se sa mos me ditë”, në kujtim të 1 mijë e 622 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më i mirë ish varri sesa mos me ditë është një fragment marrë nga biseda me Kumrije Jahmurataj, një nga familjarët e shumtë që ende presin më të dashurit e tyre.

Ekspozita e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe realizuar nga Driton Selmani, sipas organizatorëve, vjen në një kohë denoncimesh e zbulimesh të reja të varrezave masive të dyshuara në territorin e Serbisë.

Muret e mbushura me të dhëna të personave të zhdukur nga kufta e funsdit në Kosovë

Një tabelë në mes të sallës ku u hap kjo ekspozitë, shfaq ditët, orët, minutat dhe sekondat që nga zhdukja e 12 personave që u zhdukën në kohë të njëjtë.

Të dhënat e personave të pagjetur nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000, si emri, mbiemri, data e lindjes, vendlindja e data e zhdukjes u shfaqën përmes letrave të ngjitura në një tabelë për të treguar që secili nga ta i përket një identiteti dhe familjeje, pavarësisht etnisë.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, tha se organizata që ai përfaqëson merret tash e 22 vite me personat e pagjetur dhe ka konsideruar të udhës që të përkujtojë çështjen e tyre me një ekspozitë, ngase zbulimi i tyre sa vjen e bëhet më i ndërlikuar.

“Ekspozita u kushtohet edhe familjeve të personave të zhdukur në shenjë bashkëndjenje ose eupatie me këto familje”.

“Kanë kaluar 22 vite dhe shumica prej tyre ndihen të vetmuar sepse nuk kanë parë ndonjë progres në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”.

“Në të njëjtën kohë shpresojmë që ekspozita të ndikojë që institucionet kompetente që duhet të bëjnë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur të bëjnë më shumë që trupat e tyre të kthehen tek familjet”, tha Blakaj.

Ekspozita është hapur në Sallën a e Atelesë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomaz Szunyog, i cili vizitoi këtë ekspozitë, ka shkruar një cicërimë në Twiter se çështja e të pagjeturve vazhdon të jetë tema më e dhimbshme për kosovarët.

“Çështja e personave të zhdukur në Kosovë, vazhdon të mbetet një nga temat më të dhimbshme për njerëzit e Kosovës. Sot mora pjesë në hapjen e ekspozitës ‘Më i mirë është varri se sa mos me ditë’, e cila më la mbresa të thella”, shkroi shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore