Kosova

Komisioni e degradoi për shkak të dëmit prej 6 mijë eurove, kryeshefja sërish e gradoi


Posta e Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së kryeshefes së Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, është akuzuar nga Shoqata Sindikale e Postës që ka graduar në detyrë të dënuarin nga komisioni disiplinor, Petrit Karakashin.

Kadiu për Albanian Post e ka mohuar akuzën e sindikatës se Karakashi është i dënuar, duke thënë se “nuk qëndrojnë ato fakte”.

Meqë nuk ka fakte të paqëndrueshme, Albanian Post, ka siguruar edhe vendimin kur Karakashit i ulet pozita nga komisioni disiplinor, sepse vërtetohet se ka dëmtuar postën në vlera të mëdha parash.

Më 18 qershor të vitit 2015 është formuar një komision prej tre anëtarëve për regjistrimin e jashtëzakonshëm të depos qendrore.

Në bazë të raportit të komisionit, ishte vërtetuar se mungon sasi të mëdha materialesh.

“Në bazë të raportit final komisionit për regjistrimin e jashtëzakonshëm të depos qendrore është konstatuar se në disa nga artikujt që i përkasin depos 01 dhe 04 sipas sistemit ERP ka mungesa dhe sasi të tepruara të artikujve”.

“Bazuar në sistemin e ERP, sipas kalkulimeve të çmimeve për njësi rezulton se artikujt që janë konstatuar si mungesë kanë vlerën financiare prej 6 mijë e 42 euro e 7 cent, kurse sasia e artikujve të tepruar kanë vlerën financiare 6 mijë e 280 euro e 88 cent”, thuhet në raportin e komisionit të datës 21 korrik të vitit 2015, që e ka siguruar Albanian Post.

Pas konstatimit nga komisioni se Karakashi ka dëmtuar Postën e Kosovës në vlerë prej 6 mijë e 42 eurove, si koordinator për depo dhe logjistikë në Regjionin e Prishtinës, kjo ndërmarrje kishte formuar një komision tjetër për ta vu para përgjegjësisë zyrtarin.

Më 2 shtator të vitit 2015 komisioni disiplinor vendos që Karakashin ta degradon, duke e ulur në pozitë, nga grada A në gradën B.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Karakashi ka bërë shkelje sipas nenit 14.1, duke dëmtuar pronën e ndërmarrjes.

Karakashi para komisionit disiplinor mohon që ka dëmtuar Postën e Kosovës.

Albanian Post ka kontaktuar me Petrit Karakashin, që tash mban pozitën e U.D Drejtorit te Resurseve Njerëzore, por ai është përgjigjur shkurt duke na orientuar te zyra për informim në Postën e Kosovës.

“Nuk kam drejtë me u përgjigj e kemi departamentin për marrëdhënie me publikun, dhe ata përgjigjen”, ka thënë Karakashi.

Ndërsa, Shoqata e Sindikale e Postës në një email që ia ka dërguar U.D, kryeshefes Kadiu, kërkon që të mos emërohen nëpër pozita udhëheqëse personat që janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe kanë dëmtuar institucionin.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore