Lajme

Varshava planifikon më shumë reforma gjyqësore, ndërsa mosmarrëveshja me BE-në vazhdon


Flamuri i Polonisë (Në të majtë) dhe Flamuri i BE-së (Në të djathtë)

Polonia, mes një mosmarrëveshjeje me Brukselin mbi sundimin e ligjit, po planifikon një rishikim të mëtejshëm të Gjykatës së Lartë të saj dhe pjesëve të tjera të sistemit gjyqësor.

Varshava dhe Brukseli kanë qenë në mosmarrëveshje për pesë vitet e fundit lidhur me ndryshimet e paraqitura nga partia qeverisëse konservatore-nacionaliste e Polonisë, Prawo i Sprawiedliwosc, që në gjuhen shqipe do të thotë Ligj dhe Drejtësi (PiS), të cilat u japin politikanëve kompetenca gjithëpërfshirëse mbi Gjyqësorin.

Mosmarrëveshja ka arritur në krye javët e fundit, me Gjykatën Kushtetuese të Polonisë që arriti në konkluzion, duke vendosur se disa pjesë të ligjit të Bashkimit Evropian (BE) nuk janë në përputhje me Kushtetutën polake.

Po ashtu, Gjykata më e lartë e BE-së vendosi gjoba rekord ditore prej 1 milion euro ndaj Varshavës për injorimin e një urdhri për të pezulluar disa prej ndryshimeve të saj të diskutueshme gjyqësore.

Zyrtarët polakë janë zotuar që, deri në fund të vitit 2021, të heqin një dhomë disiplinore të diskutueshme për gjyqtarët që ka qenë një nga pikat kryesore të konfliktit.

Por, ata kanë këmbëngulur se kjo do të ishte pjesë e një rishikimi më të gjerë, në vend të një uljeje nën presionin e Brukselit.

Të mërkurën e 3 nëntorit, gazeta polake “Rzeczpospolita” raportoi se ky rregullim do të përfshinte heqjen jo vetëm të dhomës disiplinore, por të gjithsej pesë dhomave ekzistuese të Gjykatës së Lartë dhe zëvendësimin e tyre me dy të reja.

“Gjyqtarët që dëshironin të vazhdonin punën në Gjykatën e Lartë do të duhej të vlerësoheshin nga Këshilli Gjyqësor Kombëtar – një organ që ishte objektiv i reformave të mëparshme nga PiS dhe pavarësinë e të cilit Brukseli dhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë e kanë vënë në dyshim”, u tha në gazetë.

“Struktura me tre nivele e Gjyqësorit të Polonisë gjithashtu do të rinovohet”, shtoi gazeta.

Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë nuk pranoi të komentojë mbi raportin, por tha se ndryshimet ka të ngjarë të zbulohen në vijim.

Zëdhënësi i qeverisë, Radoslaw Fogiel, në një intervistë për televizionin shtetëror të Polonisë, u shpreh se Gjykata e Lartë do të ishte “shumë më e vogël” dhe se detajet ishin ende duke u finalizuar.

“Mbi të gjitha, çështja është që gjykatat e zakonshme të jenë më pranë qytetarëve”, tha ai.

Megjithatë, politikanët e opozitës thanë se, nëse ndryshimet materializoheshin, ato do të përbënin një “spastrim” të Gjykatës së Lartë, pas një përpjekjeje të dështuar nga PiS në vitin 2018 për të detyruar rreth një të tretën e gjyqtarëve të gjykatës të dalin në pension të parakohshëm.

“Pseudo-reforma e fundit është një likuidim de fakto i Gjykatës së Lartë dhe heqja qafe e gjyqtarëve të (emëruar) ligjërisht. Verifikimi nga Këshilli Gjyqësor neo-Nacional është një përpjekje për të bashkuar (gjyqtarët) në një sistem të paligjshëm,” shkroi në median sociale Twitter, Kamila Gasiuk-Pihowicz, nga grupi më i madh opozitar.

Mosmarrëveshja mbi ndryshimet gjyqësore të PiS është një nga një sërë përplasjesh që i kanë çuar marrëdhëniet midis Varshavës dhe Brukselit në pikën më të ulët që kur Polonia u bashkua me BE-në në vitin 2004.

Por, Polonia këmbëngul se reformat e saj po nevojiten për të rregulluar një sistem joefikas dhe se BE-ja ka nuk ka të drejtë të ndërhyjë në atë që e konsideron si çështje të brendshme.

Megjithatë, Brukseli i konsideron ndryshimet si një kërcënim themelor për pavarësinë e gjyqësorit në Poloni si dhe rendin e tij ligjor.

Brukseli ka nisur procedurat disiplinore dhe ligjore kundër Varshavës dhe deri më tani ka refuzuar të miratojë fondin prej 36 miliardë eurosh për rimëkëmbjen nga COVID-19.

Çfarë ka ndodhur?

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese polake pjesë të së drejtës së BE -së janë të papajtueshme me kushtetutën e vendit.

Vendimi mund të nxisë më tej mosmarrëveshjen midis Varshavës dhe Brukselit.

Gjykata Kushtetuese polake në Varshavë vendosi që pjesë të së drejtës së BE-së janë të papajtueshme me të drejtën kombëtare polake.

Konkretisht çështja lidhej me pyetjen nëse dispozitat e traktateve të BE-së, me të cilat Komisioni i BE-së justifikon të drejtën e tij për të thënë një fjalë në çështjet e sundimit të ligjit, janë në përputhje me kushtetutën polake.

Gjykata e kishte shtyrë vendimin për këtë çështje disa herë dhe si arsye u tha në fund se ishin paraqitur aspekte të reja dhe gjykatës i duhet kohë për të formuluar pyetje në lidhje me to.

Ursula von der Leyen – Presidente e Komisionit Evropian

Komisioni i BE-së reagoi “i shqetësuar” ndaj gjykimit të Gjykatës Kushtetuese Polake dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se ligji i BE-së qëndron mbi të.

Sipas von der Leyen, traktatet evropiane janë shumë të qarta dhe të gjitha gjykimet e Gjykatës së Drejtësisë të BE-së janë detyruese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore