Kosova

Rohde dhe Szunyog mbështesin deklaratën e Cramon për Manastirin e Deçanit – të implementohet vendimi i Kushtetueses


Flamuri i Bashkimit Evropian

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, përmes një postimi në Twitter ka mbështetur deklaratën e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila një ditë më përpara kishte thënë se Qeveria e Kosovës duhet të implementojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi pronën e Manastirit të Deçanit.

Ambasadori Rohde, duke e rishpërndarë deklaratën e Cramon në Twitter ka shkruar se zbatimi arbitrar i shtetit të së drejtës nuk është rruga përpara.

“Plotësisht pajtohem. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 është shumë i vonuar siç ka kujtuar Gjykata së fundmi. Zbatimi arbitrar i shtetit të së drejtës nuk është rruga përpara”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter.

I këtij mendimi është edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili po ashtu e ka rishpërndarë deklaratën e Cramon, pa shtuar diçka më shumë.

Në anën tjetër Lidhja e Historianëve të Kosovës, dega në Deçan nuk është pajtuar me deklaratën e Cramon-it.

Sipas tyre, vendimi anti-ligjor i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit nuk duhet zbatuar pasi që buron nga ligjet e kohës së Millosheviçit.

“Ligjet, vendimet dhe aktet nënligjore të kohës së Millosheviçit, gjitha shtetet demokratike të botës, përfshirë edhe Gjermaninë, i kanë luftuar dhe i kanë cilësuar diskriminues”.

“Viola Von Cramon dhe gjithë zyrtarët e tjerë ndërkombëtarë duhet të dinë se Manastiri i Deçanit, nuk është i rrezikuar nga askush. Ai është i rrezikuar vetëm nga politikat dashakeqe të personelit serb të Manastirit të Deçanit”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, përmes këtij reagimi historianët thanë se pronat dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” duhet të i kthehen në menaxhim Komunës së Deçanit dhe se ato prona i takojnë deçanasëve, dhe jo Sava Janjiçit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore