Pajisje

Komisioni Evropian vë nën hetim blerjen e projektuesve të çipave


Komisioni Evropian ka hapur një hetim për blerjen nga Nvidia të kompanisë britanike të dizajnit të çipave të quajtur Arm.

Agjencia e lajmeve “BBC” tregon se kjo marrëveshje e blerjes prej 40 miliardë dollarësh u njoftua në muajin shtator.

Ndërkaq, rregullatorët janë të shqetësuar se Nvidia mund ta përdorë këtë lëvizje për të kufizuar qasjen në teknologjinë e Arm-it, e cila fuqizon shumicën dërrmuese të telefonave inteligjentë në botë.

Ky shqetësim mbetet, edhe pse Nvidia ka premtuar se do të ruajë modelin e licencimit të hapur të Arm-it.

Referuar zyrtarëve, prodhuesi më i madh në botë i çipave grafikë dhe inteligjencës artificiale, kishte ofruar lëshime në një përpjekje për të adresuar shqetësimet e tij.

Mirëpo, komisioni ka dalluar se kishte ende “dyshime serioze” në lidhje me marrëveshjen, e cila beson se mund të rezultojë në më pak zgjedhje, inovacion të reduktuar dhe në çmime më të larta për konsumatorët.

“Analiza jonë tregon se blerja e Arm-it nga Nvidia mund të çojë në qasje të kufizuar ose të degraduar në IP-të e Arm-it, me efekte shtrembëruese në shumë tregje ku përdoren gjysmëpërçuesit”, ka sqaruar komisionerja evropiane për konkurrencën, Margrethe Vestager.

Megjithatë, Nvidia-s nuk i ka humbur shpresa se mund të adresojë shqetësimet e rregullatorëve dhe të ecë përpara me blerjen.

“Presim me padurim mundësinë për të adresuar shqetësimet e tyre fillestare dhe të vazhdojmë të demonstrojmë se transaksioni do të ndihmojë në përshpejtimin e Arm-it dhe nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit, përfshirë Bashkimin Evropian”, ka thënë një përfaqësues i kompanisë.

“BBC” tregon se komisioni ka afat deri më 15 mars të vitit 2022 për të vendosur nëse do ta pastrojë marrëveshjen ose jo.

Ky rezulton të jetë hetimi i dytë që po bëhet për blerjen. Në fillim të këtij viti, mbikëqyrësi i konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar njoftoi të vetin.

Fillimisht, kompanitë e çipeve kishin shpresuar të përfundonin marrëveshjen deri në mars të vitit të ardhshëm, por kjo duket e pamundur tani për tani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore