Sport

Pioli: Nëse fitojmë tri ndeshjet e mbetura, mund të kualifikohemi


Klubi i Milan-it nuk po kalon aspak mirë aventurën e tyre në Ligën e Kampionëve, ku u kualifikuan pas shtatë vjetësh.

Mbrëmjen e së martës, kuqezinjtë e humbën ndeshjen e tretë radhazi të grupeve, në të cilën u mposhtën minimalisht nga Porto.

Menjëherë pas ndeshjes, trajneri i ekipit italian, Stefano Pioli, tha se pavarësisht që kanë humbur tri ndeshje, ata nuk do të dorëzohen dhe nëse fitojnë ndeshjet e mbetura, mund ta gjejnë kualifikimin.

“Nuk luajtëm si Milan-i, por tani duhet të reagojmë. Ishte një mbrëmje e keqe që duhet ta harrojmë dhe të fillojmë përsëri”, theksoi trajneri i Milan-it.

“Sonte kemi bërë gabime në menaxhimin e topit, gjëra që zakonisht nuk na ndodhin. Por, nëse marrim nëntë pikët e ardhshme, ndoshta mund të kualifikohemi”, shtoi Stefano Pioli.

Më pas tekniku italian tha se duhet të mendojnë për ndeshjet e radhës në Serie A, pastaj të përgatiten sa më mirë për takimin me Porto-n në San Siro.

“Tani duhet të përqendrohemi te ndeshjet me Bologna-n, Torino-n e Romën, më pas duhet të mendojmë për Ligën e Kampionëve, ku së pari duhet të fitojmë ndeshjen e parë para tifozëve tanë”, tha mes tjerash Pioli.

Kujtojmë që Milan-i aktualisht gjendet në vendin e fundit të Grupit B në Ligën e Kampionëve, ku nuk kanë grumbulluar asnjë pikë.

Ndërsa grupit momentalisht i prinë Liverpool-i me nëntë pikë, kurse në vendin e dytë dhe të tretë janë Atletico Madrid dhe Porto me nga katër pikë.

Ndërkohë kuqezinjtë po kalojnë momente shumë të mira në ligën italiane, të cilët kanë fituar shtatë ndeshje dhe kanë barazuar një me Juventus-in në udhëtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore