Shqipëria

“Lajme të vjetra” në prag të raportit të ri nga KE-ja


Komisioni Evropian pritet të paraqesë të martën e 19 tetorit, progres raportin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor – bashkangjitur Turqisë – në lidhje me ecurinë e reformave evropiane.

Agjenda aktuale e zgjerimit mbulon partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Negociatat e pranimit janë hapur me Malin e Zi në vitin 2012, me Serbinë në vitin 2014 dhe Turqinë në vitin 2005.

Në mars të vitit 2020, shtetet anëtare ranë dakord të hapin negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Bosnje dhe Hercegovina, e cila ka aplikuar për t’u anëtarësuar në shkurt të vitit 2016, dhe Kosova janë kandidatë të mundshëm.

Raporti i këtij viti pritet të paraqesë problematikat dhe shqetësimet që kanë shtetet anëtare për çështje kyçe si demokracia, shteti ligjor, të drejtat apo vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

Prezantimi i këtij raporti do të mbahet nga Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Ky i fundit do të prezantojë progres raportin për secilin shtet.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi
Raportet e mëparshme

Progres raporti i vitit 2020 për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut vuri theksin te konferencat e para ndërqeveritare, “të mblidhen sa më shpejt të jetë e mundur”.

Asokohe, Komisioni konfirmoi përparimin e mëtejshëm në zbatimin e reformave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Shqipëria tashmë ka bërë përparim vendimtar dhe është afër përmbushjes së kushteve të përcaktuara nga Këshilli në funksion të konferencës së parë ndërqeveritare”, shkruhej në raportin e vitit 2020.

Në raport nënvizohej se Kosova bëri përparim të kufizuar në lidhje me reformat e lidhura me BE-në dhe është e rëndësishme që autoritetet e Kosovës t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për të përparuar në rrugën evropiane, përfshirë përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Sipas KE-së, në rajon ende vërehej një ritëm i ngadaltë në kulturën gjyqësore – pa përkushtim të mjaftueshëm ndaj parimit të pavarësisë gjyqësore.

Ritmi i përgjithshëm, në luftën kundër korrupsionit, ishte ngadalësuar dhe rekordi në shumicën e partnerëve ishte larg përmbushjes së kërkesave për anëtarësim.

Në fushën e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të mediave ka pasur përparimin më të vogël vitin e kaluar.

Komisioni miratoi gjithashtu vitin e kaluar – në të njëjtën periudhë – një plan gjithëpërfshirës ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Ky i fundit synonte të nxiste rimëkëmbjen afatgjatë të rajonit, një tranzicion të gjelbër dhe digjital dhe një sërë aspektesh ekonomike.

Deklaratat

“Hapja e negociatave të Bashkimit Evropian me Shqipërinë, është një borxh që unioni ka ndaj të ardhmes së Shqipërisë dhe të rinjve shqiptarë”, do deklaronte presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, më 28 shtator.

Gjatë fjalës së saj, ajo ravijëzoi se “bisedimet dhe konferenca ndërqeveritare do të bëhen realitet për Shqipërinë para përfundimit të vitit”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Nga takimi i 11-të i Këshillit të Stabilizim Asociimit (Këshilli SA) në Bruksel, von der Leyen do t’i paraprinte të njëjtës deklaratë si ajo e 28 shtatorit.

Ursula von der Leyen theksonte, gjatë muajit mars, se e ardhmja e Shqipërisë është Evropa dhe se negociatat e pranimit duhet të fillojnë.

Ajo rikonfirmoi asokohe se të gjitha kushtet janë plotësuar nga Shqipëria.

Përmes një deklarate për mediat, Këshilli SA vlerësoi, në fund të punimeve, sfidat me të cilat Shqipëria është përballur në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore