Lajme

Borrell: Bullgaria duhet të jetë më elastike për zgjerimin e BE-së në WB


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, deklaroi të premten e 8 tetorit se autoritetet bullgare duhet të jenë më elastike në zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor (WB).

Bullgaria ka vendosur veton kundër Maqedonisë së Veriut, tashmë anëtare e NATO-s, që të bashkohet me BE-në. Kjo, për shkak të një mosmarrëveshje gjuhësore dhe historike.

Në një event që po mbahet në Madrid, Borrell u shpreh se Bullgaria duhet të tregojë më shumë fleksibilitet për këtë çështje që po bllokon fillimin e negociatave.

Veto-ja dhe bllokimi i konferencës ndërqeveritare

Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane të Portugalisë, Anna Paula Zacarias, deklaroi me keqardhje më 22 qershor, se “pavarësisht të gjitha përpjekjeve, nuk u dakordësuan mbi një datë për mbajtjen e një konference ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut”.

Sipas saj, shkak u bë “ngërçi i Maqedonisë së Veriut dhe Vetoja e Bullgarisë me parashtrimin e kushteve të saj”.

Presidenca sllovene pritet të vijojë me angazhimin e saj mbi këtë çështje që “mbetet jetike për BE-në”.

Vetoja bullgare

Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë konfirmoi asokohe pozicionin e saj mbi ofertën e Maqedonisë së Veriut.

“Bullgaria riafirmoi pozicionin e saj mbi perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë Veriore gjatë takimit të sotëm të rregullt të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GCC), ndërsa ishte e hapur për një dialog konstruktiv me Presidencën e ardhshme Sllovene të Këshillit të BE-së për gjetjen e ndërsjellë të një zgjidhjeje të pranueshme”, shkruhej në deklaratën e tyre zyrtare të publikuar në web.

Bullgaria vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e reformës dhe riafirmoi mbështetjen e saj për miratimin e kornizës negociuese të vendit.

Kushtet e Bullgarisë përfshijnë refuzimin e qartë të Republikës së Maqedonisë Veriore nga pretendimet territoriale, të pakicave dhe historike ndaj Bullgarisë.

Sakaq, ata kërkojnë ndryshimin e mbishkrimeve apo monumenteve që nxisin urrejtjen ndaj Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Deklarata e Brdo-s

Pas takimit të liderëve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, u ravijëzua mbështetja e qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Mbi perspektivën e Ballkanit do të intensifikohet më tej angazhimi i përbashkët i të gjitha vendeve.

Kjo, për të pasur një transformim politik, ekonomik dhe social të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

BE-ja, sipas deklaratës, duhet të mbajë dhe thellojë zhvillimin e saj, duke siguruar kapacitetet për të integruar anëtarë të rinj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore