Kosova

Dreçun: Kosova do të provojë të na e imponojë reciprocitetin


Kryetari i të ashtuquajturit ‘Komitet për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë, Milovan Dreçun

Kryetari i të ashtuquajturit ‘Komitet për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë, Milovan Dreçun, mëngjesin e së mërkurës në një intervistë dhënë për Radiotelevizionin e Serbisë, ka thënë se pas tërheqjes së Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës, për Serbinë ende mbetet të gjindet zgjidhje, por se “Prishtina do të provojë të imponojë çështjen e reciprocitetit”.

Ndërsa, tërheqjen e njësisë speciale, ai e konsideron “arritje të madhe të Serbisë”.

“Një zgjidhje përfundimtare për targat ende duhet kërkuar për të implementuar marrëveshjen për lëvizje të lirë, dhe kjo është detyra e grupit punues që do të formohet në fund të muajit, dhe siç është paraparë, të gjendet zgjidhje brenda 6 muajve”, ka deklarruar ai.

Ndërsa bisedimet mes dy palëve, ai i ka cilësuar si ”të vështira”, sepse Kosova do të “synojë të imponojë dy pozicione”.

“Njëra është për Serbinë, që së paku në mënyrë indirekte, dhe përmes targave, ta njeh shtetin e rremë të Kosovës, dhe e dyta, që të nisin të ashtuquajturin reciprocitet në lojën politike, në mënyrë që ta bëjnë gjë normale dhe të zakontë”, është shprehur Dreçun.

“Emisari i ShBA-së u ka dhënë pajtimin e tij për sjellje të tilla dhe i kanë lejuar që të vendosin të ashtuquajturën reciprocitet”, tha ndër të tjera ai.

Ndërsa ka vazhduar që veprimet e Kosovës ti quajë të njëanshme dhe të dhunshme

Kryeministri i Kosovës, konsideron Dreçun, “ka humbur shumë poena politike”, sepse “në fillim ndoshta edhe ishte fitues duke u treguar shumë i vendosur”, ndërsa thotë se tashmë “nuk ka tiketë tjetër që ta paraqesë për zgjedhjet lokale”.

“Gjëja e vetme që i mbetet Kurtit është që të rris nivelin e mos-tolerancës drejt serbëve dhe të synojë të bashkojë elektoratin shqiptar, por ai ka pësuar debakël me këtë”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore