Shqipëria

Ballkani në BE brenda 2030-ës?


“Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet, duke përfshirë brenda tij të gjithë Ballkanin Perëndimor brenda dekadës”.

Është ky propozimi i fundit i mbajtësve të presidencës së radhës të unionit, Sllovenisë, pikërisht pak ditë përpara mbajtjes së samitit të 6 tetorit midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ideja sllovene është që një orë e më parë, të nisë puna për përfshirjen ballkanike në bashkësinë evropiane.

Një takim midis 27 ambasadorëve të vendeve të BE-së, u mbajt të premten e 1 tetorit në Bruksel. Çështje diskutimi kryesore, ishte ajo e integrimit ballkanik në union.

Por, kjo nuk është një qasje tërësore dhe e unifikuar e BE-së. Disa nga vendet madje, brenda takimit, e kanë përshkruar propozimin slloven si tërësisht jo realist. Bazat mbi këtë, janë sfidat e mëdha ekonomike dhe politike që rajoni vijon të kalojë.

Flamujt e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me në sfond Parlamentin Evropian, Strasbourg

Mbi të gjitha, zgjerimi, është një diskurs shumë delikat për vendet anëtare. Nga një anë, dëshira nuk duket shumë e madhe nga ana e tyre, për të pranuar vendet e Ballkanit në bashkësinë e tyre.

Nga ana tjetër, një influencë – tashmë e padiskutueshme – ruse dhe kineze, po i nxit ata të kryejnë bisedime të rrjedhshme.

Prej vitit 2004 deri më 2013, 13 shtete iu shtuan BE-së në një zgjerim të shpejtë.

Ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, pati premtuar se deri më 2019, nuk do të kishte më pranime. Dhe ashtu ndodhi…

Por viti është 2021 dhe jo veç hyrjet, por edhe hapja e bisedimeve me disa shtete – ndër të cilat Shqipëria – duket problematike.

Për më tej, çështja e Kosovës është problem më vete, kur në mes qëndron dialogu i Prishtinës me Beogradin, për të arritur në një njohje gjithëpërfshirëse të Kosovës si shtet sovran.

Në këto kushte, për çfarë përflitet ky vit?

Themeli i parë i këtij diskursi politik, lidhet me faktin se vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk u ka mbetur shumë – në mos fare – durim për të vijuar me “lojën” e BE-së.

Shtytje për të përshpejtuar negociatat ka nga diplomatët e gjashtë vendeve. Por, ato nuk janë si të dikurshmet.

Mjafton të shihet fakti se dy vendet kryesore të bllokut, Shqipëria dhe Serbia, diskursin e kanë tashmë më shumë të anuar për nga nisma rajonale “Open Balkan” se sa për nga aderimi në BE.

Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç firmosin marrëveshjet në kuadrin e Open Balkan

Vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka përsëritur disa herë – edhe në sy të zyrtarëve të lartë evropiane – se ai “nuk ka më ankth në pritjen e vendimeve evropiane, pasi detyrat janë kryer dhe radhën e kanë ata t’i zgjidhin problemet e tyre”.

Ai e ka përkufizuar qartë faktin se “Shqipëria duhet të shohë rrugën e saj dhe reformat t’i ndërmarrë për veten”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konfeencë për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Një qasje të tillë e ka shfaqur edhe presidenti serb, Alexander Vuçiç. Mirëpo, ky i fundit, ka edhe faktorin “Rusi”, që e step disi nga bota evropiane. Mbështetja e siberianëve për Beogradin nuk është as gjë e re dhe as e panjohur.

Themeli i dytë, lidhet me Kosovën. Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, janë pjesë e BE-së. Por, janë tërësisht jashtë linjës së BE-së.

Këto shtete nuk e njohin Kosovën, që prej shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2008. Madje, as liberalizimi i vizave me shtetin më të ri në Ballkan, nuk është arritur nga pala evropiane.

Pra, kemi të bëjmë me një bllok jashtë bllokut.

Vizita e fundit e presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen, e ravijëzoi nevojën e integrimit të rajonit. Ajo ritheksoi edhe gjithë ndihmën dhe investimet evropiane në Ballkan. Por, përtej fjalës “shpejt”, ajo nuk artikuloi asnjë periudhë kohore, e aq më pak datë, për integrimin e rajonit.

Oreks i vogël për zgjerimin e madh

Me gjashtë vende në rajon, numri i tyre nuk është i vogël. Nëse të gjashta do të integroheshin si të tilla, kjo do ta çonte në 33 shifrën e vendeve anëtare.

Nga një anë, politikanët ballkanas kanë frustrim me situatën.

Nga ana tjetër, ata evropianë, nuk kanë oreks thelbësisht të madh për të hapur dyert për më shumë vende.

Thënë kjo, ngërçi fillestar që duhet zgjidhur, është ai i heqjes së vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Kjo, do t’i hapte rrugën edhe Shqipërisë për hapjen e negociatave. Vetoja bullgare është e vetmja gjë që e pengon atë.

Vetë von der Leyen në fjalën e saj, “shtyu” unionin që të bëjë më shumë për shqiptarët dhe maqedonasit. Sa më parë!

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në konferencë për shtyp gjatë vizitës së saj në Shqipëri

Por kjo gjë, arrihet vetëm me unanimitet, të cilin BE-ja nuk e gëzon aktualisht.

Me Slloveninë që nuk është e qartë se do t’ia dalë me Bullgarinë, fjalia e ballkanasve, mbetet po e njëjta:

“Është koha që BE-ja të veprojë”.

Por, a do të veprojë dot brenda kësaj dekade? Kjo mbetet për t’u parë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore