Kosova

Hagë: Rasti i Salih Mustafës, flet dëshmitari i dytë


Salih Mustafa ish pjestar i UÇK-së, i akuzuar për krime lufte në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon seanca ndaj të akuzuarit Salih Mustafa, intervistimi i të cilit po vazhdon edhe sot, për të pestën ditë me radhë.

Këtë të premte prokuroria po interviston dëshmitarin e dytë.

I pyetur nga trupi gjykues se a ka pasur komandë qendrore apo koordinim për të bashkërenduar dy njësitë në Zllash, dëshmitari u përgjigj se “kur na sulmonin serbët jemi gjind qysh kemi mundur”.

“Nuk ka pasur koordinim. Nuk besoj që ka pasur për arsye se kur kanë sulmuar forcat serbe jemi gjind secili qysh kemi mund për t’u mbrojtur”.

“Komandë të veçantë s’ka pasur as nga BIA as nga zona operative në Zllashë që ka vepruar, por kur kanë sulmuar ne jemi kon të gatshëm me dal përballë qysh kemi mundur”.

Ai u shpreh se Mustafa njihet me nofkën “Komandant Cali”, rrinte më shumë me uniformë dhe mbante kapelë të kuqe.

Ai gjithashtu ka thënë se komandant “Cali” e kishte zëvendësin i cili sipas tij, ishte i njohur me pseudonimin “Dardani”.

“Ata zakonisht kanë pasur pseudonime. Një pjesë të tyre ndoshta i kam harru. Jo vetëm ata por shumica e ushtarëve kanë qenë me pseudonime”.

Dëshmitari i dytë, gjatë intervistimit në Hagë, ka lënë të nënkuptohet se ishte pjesëtar i një njësie luftarake gjatë luftës (UÇK), pasi kur u pyet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nëse ka pasur bashkëpunim mes njësive në operacione luftarake, ai u përgjigj: “Po, kemi bashkëpunu”.

Ndërkaq, më 23 shtator ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtur W03593 , i cili që nga 20 shtatori për katër ditë rresht ka dëshmuar në gjykatore.

Ndryshe, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 15 shtator.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore