Sport

Amir Rrahmani pëson lëndim


Qendërmbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka pësuar një lëndim në ndeshjen që ekipi i tij Napoli e fitoi me rezultat 0:4 në udhëtim te Sampdoria.

Ai u inkuadrua që nga minuta e parë në këtë ndeshje, por ishte i pafat në fillim të pjesës së dytë, ku pësoi një lëndim në kokë.

Stafi i Napoli-t nuk rrezikoi shumë dhe e nxori nga loja mbrojtësin kosovar, duke e futur në vend të tij, Kostas Manolas-in.

Mbetet të shihet se a do të jetë lëndim serioz, apo do të kthehet sa më shpejtë në fushë mbrojtësi 27-vjeçar.

Kujtojmë që Rrahmani rigjeti formën te skuadra e tij, i cili po merr më shumë minuta nga trajneri Luciano Spalletti.

Ai pati paraqitje fantastike në dy ndeshjet e kaluara, kundër Leicester në Europa Leauge, si dhe ndaj Udineses, në të cilën gjeti edhe rrugën e rrjetës.

Kujtojmë që Rrahmani u transferua nga Verona në janar të vitit 2020, për shumën e 14 milionë eurove.

Ndërkohë, ai me fanellën e Napolit, ka zhvilluar 22 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar edhe dy gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore