Lajme

Vendet e BE-së u kërkuan të mbrojnë gazetarët ndërsa rritet numri i sulmeve


Vĕra Jourová tha se Komisioni Evropian po u thoshte vendeve anëtare: "mos i nënvlerësoni kërcënimet dhe shenjat paralajmëruese nën të cilat ndodhen gazetarët".

Komisioni Evropian bën thirrje për veprim, pasi thotë se 908 punonjës të mediave u sulmuan në 23 shtete të Bashkimit Evropian, vitin e kaluar.

Qeveritë e BE-së janë kërkuar nga Brukseli që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur gazetarët, pas një rritje të sulmeve ndaj anëtarëve të shtypit.

Duke lëshuar rekomandimin e tij të parë për sigurinë e gazetarëve, Komisioni Evropian u bëri thirrje qeverive të BE-së, që të krijojnë pika kontakti falas për punonjësit e mediave që përballen me kërcënime fizike ose verbale, në mënyrë që të sigurojnë një përgjigje të shpejtë nga policia dhe prokurorët.

Gjithashtu dëshiron të sigurohet që gazetarët që bëhen viktima të krimit, të kenë siguruar qasje në këshillim, këshilla ligjore dhe strehimore.

Sipas komisionit, 908 gazetarë dhe punonjës të medias u sulmuan në 23 shtete anëtare të BE-së në vitin 2020, duke rezultuar në lëndime fizike dhe mendore, si dhe dëme në prona. Ndërhyrja pason një seri vrasjesh të profilit të lartë që tronditën Evropën, përfshirë vrasjet e Daphne Caruana Galizia të Maltës dhe Jun Kuciak të Sllovakisë, të cilët hetuan korrupsionin në vendet e tyre.

Komisioni Evropian

Këtë vit, reporteri i krimit holandez Peter de Vries u vra në një rrugë të zënë me banesa në Amsterdam dhe reporteri investigativ grek Giorgos Karaivaz u qëllua për vdekje gjatë rrugës për në shtëpi nga puna.

Reporterët pa Kufij (RWB) regjistruan vrasjen e katër gazetarëve në 10 vitet para vrasjes së Caruana Galizia në vitin 2017. Zyrtarët e BE-së thanë se ishin të alarmuar për një numër në rritje sulmesh.

Nënkryetarja e komisionit, Vĕra Jourová, tha se biseda me familjet e Caruana Galizia dhe Kuciak kanë qenë momentet më të vështira të punës së saj të mëparshme si komisionere e BE-së për drejtësinë, e cila përfundoi në vitin 2019. “Unë u premtova atyre se do të punoja që gjërat të ndryshojnë. Rekomandimet sot, janë hapi i parë në plotësimin e këtij premtimi”.

Në fjalimin e saj vjetor, të mërkurën, presidentja e komisionit, Ursula von der Leyen, premtoi se do të nxirrte një akt të lirisë së medias në vitin 2022 për të mbrojtur pavarësinë e shtypit dhe transmetuesve, mes shqetësimeve në rritje për disa shtete anëtare.

Në Hungari, shumë media të pavarura janë mbyllur ose janë blerë nga figura pro-qeveritare. Polonia po debaton mbi një projektligj për mediat që do të ndalonte kompanitë jashtë Zonës Ekonomike Evropiane të zotëronin shumicën e çdo kanali televiziv, i parë gjerësisht si një përpjekje për të heshtur transmetuesin më të madh të pavarur të vendit, TVN.

Protestuesit në Poloni me pankarta që shkruajnë “Media e Lirë”.

Autoritetet e BE-së tashmë kanë kaluar shpatat me kryeministrin e Sllovenisë, Janez Janša, i cili i ka quajtur gazetarët gënjeshtarë dhe “prostituta” gjatë shpërndarjeve të shpeshta kundër mediave.

“Është e papranueshme kur dhuna vjen nga goja e udhëheqësve politikë”, tha Jourová, e cila shtoi se retorika agresive nuk vinte vetëm nga Sllovenia.

Komisioni ka fuqi të kufizuar në këtë fushë, por Jourová premtoi të mbajë presionin lart.

“Sigurisht, nuk është legjislacion ligjërisht i detyrueshëm, por ne me të vërtetë do të monitorojmë situatën”, u tha ajo gazetarëve. “Ne do të mbajmë presionin ndaj shteteve anëtare për të bërë më shumë, sepse rekomandimi… është një thirrje shumë e fortë për shtetet anëtare: mos i nënvlerësoni kërcënimet dhe shenjat paralajmëruese nën të cilat ndodhen gazetarët”.

Qeveritë që nuk arritën të mbrojnë sigurinë e gazetarëve dëmtuan reputacionin e tyre, shtoi ajo. “Është në interes të shteteve anëtare nëse duan t’u besohet se janë një vend vërtet demokratik”.

Komisioni po u kërkon autoriteteve kombëtare të sigurojnë ndjekjen e fuqishme të gjitha shkeljeve të ligjit, duke punuar përtej kufijve me shtetet e tjera anëtare ose agjencinë policore të BE-së, kur është e nevojshme. Rekomandime të tjera përfshijnë trajnimin e punonjësve të policisë për të siguruar mbrojtje më të mirë për gazetarët që mbulojnë protestat.

Rekomandimet i drejtohen 27 qeverive të BE-së, por komisioni shpreson se vendet kandidate për BE në Ballkanin Perëndimor do t’i marrin ato.

Vëzhguesit kanë frikë se BE-ja ka mjete të kufizuara për të ndryshuar sjelljen e politikanëve që kënaqen me sjellje agresive kundër mediave.

Bullgaria është vlerësuar si vendi më i keq anëtar i BE-së për lirinë e shtypit, sipas RWB. Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit të grupit, zbulon gjithashtu situatën e zymtë për mediat në Hungari (vendi i 92 -të), Maltë (81), Greqi (70) dhe Poloni (64).

RWB i përshkroi rekomandimet e BE-së si një hap në drejtimin e duhur, por paralajmëroi për pamundësinë ose ngurrimin e autoriteteve në disa vende për të mbrojtur gazetarët.

“Duhet bërë çdo përpjekje për të siguruar që këto rekomandime të bëhen realitet”, tha Julie Majerczak, përfaqësuese e RWB në BE. “Ne i nxisim udhëheqësit e vendeve të BE-së të veprojnë me përgjegjësi dhe i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian të demonstrojë një vendosmëri për të siguruar që këto rekomandime të mos injorohen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore