Kosova

Albulena Haxhiu: Në fund të shtatorit do të vizitojmë ish krerët e UÇK-së


Ish krerët e UÇK-së të paraburgosur në Hagë, së shpejti do të kenë një vizitë nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, konkretisht të Ministrisë së Drejtësisë.

Kështu ka deklaruar vetë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Vizita, sipas sajë do të bëhet dikur në fund të muajit shtator.

“Asnjëherë, asnjë Ministër i Drejtësisë, nuk ka pasur as interesin më të vogël në raport me personat që janë në paraburgim, ne kemi menduar se është obligim i joni institucional që ta bëjmë një vizitë të tillë në raport me kërkesat që kanë, në raport me të drejtat e tyre, prandaj një vizitë e tillë do të bëhet në fund të këtij muaji, në fund të muajit shtator”, deklaroi Haxhiu.

Haxhiu u shpreh se mund të ishte ajo vetë, vizituesja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, por për shkak të vajzës së vogël, detyrohet të dërgoj zëvendësin e sajë.

“Për shkak të rrethanave që mua ma pamundësojnë të jem atje, për shkak të vajzës, në këtë takim do të shkoi zëvëndësministri z.Blerim Sallahu dhe shefi i kabinetit”, tha Haxhiu në Atv.

Kjo iniciativë, ka ardhur pas takimit që ministrja Haxhiu kishte me Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Ministrja tha se në këtë takim është diskutuar për funksionimin e Gjykatës Speciale dhe për kohën sa mund të zgjasë i gjithë ky porces.

Të paraburgosurit në Hagë

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore