Kosova

“Lajçak-ut i ofruam qasje në arkivat e Kosovës – Serbia ia hap ato ushtrisë”


Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti

Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se i kanë ofruar qasje të plotë Përfaqësuesit Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në arkivat e Kosovës.

“Me qëllim që të heqim çfarëdo dyshimi që mund të kenë sa i përket ‘shpikjes së tyre për arkivat e UÇK-së’, ka shkruar në Facebook Hoti.

Sipas tij, “arkivat e Kosovës kanë qenë dhe janë të hapura, prandaj marrëveshja është në interesin tonë sepse vetëm na mundëson qasje në arkivat ushtarake të Serbisë, e që është barriera kryesore për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë”.

Por, sipas Hotit, një gjë të tillë do ta bëjë edhe Serbia, duke i hapur arkivat e ushtrisë, “pasi që Serbia ka qenë e organizuar në nivel shtetëror me organet dhe forcat policore e ushtarake, si dhe me njësi paramilitare që kanë vrarë e masakruar anë e kënd Kosovës, duke i kidnapuar e zhdukur me forcë mijëra persona”, ka shtuar Hoti.

“Ne kemi kërkuar qasje të plotë në arkivat shtetërore të Serbisë, veçanërisht në arkivat e ushtrisë dhe policisë gjatë kohës së luftës në Kosovë”.

“Po ashtu, kemi kërkuar qasje të plotë në territorin e Serbisë për hulumtime të varrezave masive apo çfarëdo informate që kemi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Kemi kërkuar dorëzimin e menjëhershëm të raporteve të ADN-së, pas identifikimit të trupave nga varreza masive e Kizhevakut, në mënyrë që të njoftohen familjarët, si dhe të bëhet urgjentisht riatdhesimi i trupave në Kosovë”.

Sipas tij, politizimi i kësaj çështje, e sidomos i takimeve në Bruksel, nuk i bënë nder askujt dhe nuk e ndihmon procesin dhe ndjeshmërinë që ka kjo temë.

“Shpresoj në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e spektrit politik kur janë në pyetje edhe 1632 persona që na mungojnë”.

Ndërkaq deklarimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, se në dialogun me Serbinë është gjetur pajtimi që të hapen të gjitha arkivat, përfshirë ato për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e kanë befasuar ushtruesin e detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.

Ai ka thënë për Albanian Post, se “arkivat e UÇK-së të hapura kanë qenë gjithmonë. Muzeu, eksponatet e dëshmorëve ato janë të hapura për publikun”, prandaj Klinaku nuk e di se për çfarë e ka fjalën zëvendës-kryeministri.

Një gjë të tillë sipas Klinakut duhet ta bëjë Serbia.

“Serbia duhet t’i hap arkivat dhe të tregoj ku i ka varrosur qytetarët tanë që janë nëpër varreza në atje”, tha Klinaku.

Në anën tjetër, nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku,  hapjen e arkivave po e konsideron grackë të rrezikshme.

“Zëvendëskryeministri paska deklaruar në Bruksel se Beogradi është pajtuar t’i hapin arkivat, e aty paska thanë edhe diçka për hapjen e arkivave për UÇK-në. Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën. Arkivat e Beogradit për UÇK-në. Ato tashmë janë në Hagë” ka shkruar Çitaku në Facebook.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore