Kosova

Çizmja e pushtetit në qafën e aktivistit


Dardan Molliqaj i përgjakur, duke u arrestuar nga policia

Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila deklaronte se komandantëve të luftës iu konvenon fitorja e tyre, sepse ata nuk do t’i dorëzonin asnjëherë në Gjykatën Speciale, ka përdorur policinë për të ushtruar dhunë në disa aktivistë të Partisë Socialdemokrate, vetëm se ata me një aksion simbolik ndërprenë për disa qaste një ligjëratë të Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Bullgarja, kishte ardhur në Kosovë për të shpalosur më shumë për Specialen dhe misionin e saj, por derisa ajo fliste dy aktivistë të PSD-së me fishkëllima e bën që të ndalet, ndërsa aktivistë të tjerë jashtë, përfshirë këtu edhe kryetarin Dardan Molliqaj, po protestonin duke përdorur një sprej për të shkarravitur xhamat e veturës me të cilën kishte ardhur Trendafilova.

Kaq ka mjaftuar që policia të ushtrojë dhunë brutale në arrestimin e aktivistëve. Molliqaj është parë i përgjakur, derisa plandosej në trotuarin e rrugës nga policët.

Kur ai rezistonte, policia bëhej më agresive dhe kur të tjerë tentonin ta mbronin Molliqajn, përplaseshin për toke edhe ata.

Fotografia e Molliqajt me ballin e përgjakur dhe gjurin e policit vënë në qafë ka irritur shumë kë, derisa është shprehur habi për dhunën e pakuptueshme të ushtruar ndaj aktivistëve.

Të pyetur nga Albanian Post, se përse ishte i nevojshëm gjithë ai intervenim, nga policia kanë refuzuar të flasin për dhunën e ushtruar.

“S’kam përgjigje. Nuk e di si e përshkallëzoni dhunën ju”, ka thënë Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Qeveria në anën tjetër nuk e ka komentuar fare ndërhyrjen e policisë.

As Lëvizja Vetëvendosje, parti që zhvillimin e vetë e ka parë përmes aksioneve dhe ka glorifikuar gjithmonë protestimin në rrugë, nuk ka reaguar fare.

Në VV, sa ishin në opozitë, ndërhyrjet e policisë i shihnin si shkelje e të drejtës për të protestuar dhe arrestimet e anëtarëve të tyre i paraqisnin gjithmonë si arrestime politike.

Tani, në pushtet, brutaliteti policor është përkthyer në procedurë.

Derisa policia arsyetohet se reagimi i tyre ishte vetëm përgjigje për veprimet e protestuesve.

“Veprimet që kanë karakterizuar këtë aktivitet kanë determinuar reagimin policor dhe për rrjedhojë pesë nga këta persona janë shoqëruar në stacionin policor”, ka treguar Borovci.

“Hetuesit policorë të udhëhequr nga prokurori i shtetit kanë kryer veprimet preliminare hetimore me qëllim të sqarimit dhe ndriçimit të plotë të rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen”.

Përveç arrestimeve prokuroria “ndaj dy të dyshuarve ka iniciuar hetim për veprën penale ‘Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’ përderisa ndaj të gjithëve është iniciuar ‘Procedurë Kundërvajtëse’”.

Në anën tjetër Ekaterina Trendafilova, e përfundoi ligjërimin e saj. Përgjigje, nuk dha pothuajse në asnjë pyetje, as për rrjedhjen e dokumenteve nga Specialja.

Profesori universitar, Blerim Latifi, aksionin e PSD-së e ka parë si mbrojtje të Hashim Thaçit dhe të tjerëve që po qëndrojnë në Hagë.

“E pritëm edhe këtë ditë: Dardan Molliqaj me protestu për Hashim Thaçin, ndërsa aktivistët e PDK-së e marrin vesh lajmin nga portalet”, shkruan Latifi në llogarinë e tij në Facebook.

Përkundër se parti jo-parlamentare, PSD-ja ka mbetur pothuajse partia e vetëm në Kosovë që me aksione simbolike mban qëndrime dhe kundërshton politikat e qeverisë.

Kjo nuk ishte hera e parë që policia ka arrestuar Molliqajn, apo ka ndërhyrë dhunshëm për të ndaluar aksionet e PSD-së.

Ndërkohë, kur Trendafilova me asistimin e policisë vazhdojë ligjëratën e qetë, në Bruksel përfaqësuesi i Qeverisë, Besnik Bislimi, po merrte pjesë në takimin e radhës në kuadër të dialogut me Serbinë.

Dikur, njëjtë si Gjykata Speciale, edhe dialogu me serbët kundërshtohej ashpër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore