Kosova

Ende pa datë të caktuar për takimin e radhës Kurti – Vuçiç


Takimi midis delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve i lehtësuar nga BE

Megjithëse është paralajmëruar se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel më 7 dhe 8 shtator, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ende nuk ka ndonjë pajtueshmëri në lidhje me datën dhe agjendën e diskutimit, gjë që sipas ndërmjetësuesve nga Brukseli do të bëhet publike në kohën dhe momentin e përshtatshëm.

Një mungesë të tillë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se “do të shpallim datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut kur është e përshtatshme”.

Derisa Qeveria e Kosovës qëndron e heshtur, partia opozitare – Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të insistojë në zgjidhjen për njohje reciproke në kufijtë aktual.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se “duket qartë që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk është i gatshëm për zgjidhje, po përpiqet të gjejë alibi për të mos gjetur zgjidhje”.

“Këtë alibi po e kërkon, por Kosova, Qeveria dhe kryeministri ynë nuk guxon t’i jap mbulesë Vuçiçit në këto përpjekje të tij djallëzore. Ata janë të interesuar për status-quo, Kosovës nuk i intereson ajo, ajo duhet të kërkojë zgjidhje me njohje reciproke në kufijtë aktual në mënyrë që ne si shtet i përgjegjshëm gradualisht të bëhemi pjesë e sistemit ndërkombëtar”, është shprehur Hamiti për Kosovapress.

Në anën tjetër, Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se dy palët janë duke e shfrytëzuar dialogun për qëllime të brendshme për shkak të zgjedhjeve në të dy vendet.

“Nuk duhet pritur ndonjë progres i veçantë. Ajo çfarë kemi parë edhe në dy takimet e kaluara është se dy palët janë duke shfrytëzuar dialogun për qëllime të veta të brendshme politike. Nuk ka për momentin një mjedis të favorshëm politik për progres të dialogut”.

“Kosovë në tetor do të kemi zgjedhje lokale, në Serbi në prill të vitit ardhshme kemi zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Prandaj në një mjedis zgjedhor nuk duhet pritur ndonjë progres të ndjeshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”, ka deklaruar Shasha.

Takimi i fundit mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë është zhvilluar më 19 korrik, por pa prodhuar asnjë rezultat konkret.

Pas këtij takimi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Çfarë është dialogu Kosovë-Serbi?

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në politikën e jashtme të BE-së është një nga projektet më të rëndësishme. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik.

Në tetor të vitit 2012, ky proces kaloi nga niveli teknik në atë politik, kur kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç nisën negociatat.

Në prill të vitit 2013, palët arritën marrëveshje dhe e njëjta njihet si “Marrëveshja e Brukselit”, por shumica e marrëveshjeve që janë pjesë e saj, ende nuk kanë gjetur zbatim nga ana e Serbisë.

Ndërkaq Kosova, Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë (ASK) nuk po mund ta zbatoj ngase Gjykata Kushtetuese e Kosovës në mendimin e saj kishte gjetur shumë mospërputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës, Kushtetutën.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Megjithëse, rajoni thuhet se në një të ardhme do të bëhet pjesë e bllokut evropian, megjithatë ka kritere për pranimin e anëtarëve të rinj në BE.

Prandaj, më 2018, gjatë përpilimit të strategjisë së zgjerimit, u tha qartë se të gjitha vendet që duan të anëtarësohen në BE, fillimisht duhet të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura që kanë me fqinjët e tyre.

“Politika e zgjerimit të BE-së duhet të vazhdojë të sjellë stabilitet. Prandaj, BE-ja nuk mund dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje dypalëshe”, thuhet në strategjinë e zgjerimit të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore