Kosova

Vazhdon seanca e radhës për zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviç


Politikiani i ndjerë serb, Oliver Ivanoviç

Marko Roshiç, Nedelkjo Sapojeviç, Dragisha Markoviç, Zharko Jonvanoviç, Silvana Arsoviç dhe Rade Basara, të akuzuar për vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviç, gjatë ditës së hënën janë paraqitur para trupit gjykues, për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Seancën e shqyrtimit gjyqësor e udhëheqë trupi gjykues i përbërë nga gjykatësi Valon Kurtaj në cilësinë e kryetarit si dhe gjykatësit Valbona Musliu – Selimaj e Musa Konxheli në cilësinë e anëtarit.

Në seancën e së hënës ku po vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve në rastin e vrasjes së Ivanoviç, djali i tij Nikola Ivanoviç ka deklaruar se familja e tij meriton drejtësi për vrasjen e babait të tij.

“Pas dy vite e gjysmë të vrasjes së babait tonë, familja e Oliver Ivanoviq meriton të drejtën dhe drejtësinë, ne duam që drejtësia të arrihet dhe që fajtorët të dënohen”, ka thënë pala e dëmtuar, raporton Betimi për Drejtësi

Në seancën e fundit me gjashtë korrik të këtij viti gjashtë të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë për akuzat e lidhura me vrasjen e Ivanoviç.

Ndërsa vetëm Zharko Jovanoviç, ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Speciale e Kosovës, fillimisht kishte ngritur aktakuzë më 27 dhjetor të vitit 2019 kundër Nedeljko Spasojeviç, Marko Roshiç, Silvana Arsoviç, Dragisha Markoviç, Zharko Jovanoviç dhe Rade Basara për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Më pas, me 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviç, Marko Roshiç, Rade Basara dhe Silvana Arsoviç, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore