Kosova

Dita ndërkombëtare e të pagjeturve, Haradinaj: “Plagë e hapur për ne”


Ilustrim

30 gushti shënohet si Dita Ndërkombëtare e personave të Zhdukur në mbarë botën.

Kjo ditë shënohet edhe në Kosovë, pasi lufta e fundit në vend, bëri që shumë persona të mbesin të zhdukur.

22 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, më shumë se 1 mijë e 600 persona figurojnë si të pagjetur.

Për ta përkujtuar këtë ditë Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vendosur lule në monumentin e Personave të pagjetur, i cili gjendet në Sheshin “Skëndërbe” në Prishtinë.

Përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se motrat, vëllezërit e fëmijët tonë të pagjetur mbesin plagë e hapur, dhimbje që vazhdon.

“Ata nuk kërkuan asgjë më shumë, vetëm se të jetojnë të lirë në shtëpinë e tyre, në dheun e të parëve. Zemra jonë bashkëndjen me familjarët që ende presin të dashurit e tyre. Jemi gjithmonë bashkë”, ka shkruar Haradinaj.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6 mijë 500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa gërmime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore