Lajme

Angelina Jolie: Ndihem e turpëruar nga mënyra se si Amerika ia ktheu shpinën Afganistanit


Angelina Jolie - Aktore dhe aktiviste për të drejtat e njeriut

“Cilado qoftë pikëpamja juaj për luftën në Afganistan, ne me siguri pajtohemi për një gjë: nuk duhet të kishte përfunduar në këtë mënyrë”, është fraza hyrëse e një publikimi në prestigjiozen “Time”, të shkruar dhe edituar nga aktorja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Angelina Jolie, kushtuar situatës momentale në shtetin afgan.

Sipas Jolie, heqja dorë nga ideja e një marrëveshjeje paqeje midis qeverisë afgane dhe talebanëve, duke braktisur aleatët dhe mbështetësit në mënyrën më kaotike të imagjinueshme, pas kaq shumë përpjekjesh dhe sakrificash, është një tradhti dhe një dështim.

Angelina ka përshkruar momente nga takimet me afganët, prej të cilëve kishte edhe të plagosur nga përpjekja për t’i kundërshtuar talebanët.

“Mendoj për ushtarakët dhe gratë amerikane të plagosura që takova në Bazën Ajrore Ramstein – disa që kishin humbur gjymtyrët duke luftuar me talebanët – të cilët më thanë se sa krenarë ndiheshin që ishin pjesë e ndihmës së popullit afgan për të fituar të drejtat dhe liritë themelore”, shkruan Jolie, transmeton “Time”.

Në fokusin e Jolie vendin më të madh duken ta kenë zënë gratë dhe vajzat afgane që sipas saj, luftuan shumë në një vend me rrezikshmëri të lartë siç është Kabuli.

“Unë mendoj për çdo vajzë afgane që mori çantën e saj të librit dhe shkoi në shkollë në njëzet vitet e fundit, edhe pse ajo rrezikoi të vritej për të – si shumë të tjerë. Në një distrikt në Kabul, më shumë se njëqind njerëz janë vrarë në sulmet që kishin në shënjestër vajzat e shkollës vetëm vitin e kaluar”.

“Mendoj për gratë afgane që shërbyen si avokate dhe gjyqtare dhe oficere policie – edhe pse shoqet dhe koleget e tyre gra u vranë me gjakftohtësi, me numrin e atentateve që u trefishuan në vitin 2020”, thotë ajo.

Peng në memorien e yllit të kinematografisë amerikane, duken të kenë mbetur edhe fëmijët afganë, për të cilët ajo shprehet se “ata po jetojnë në frikë për të ardhmen e tyre”. Ndërsa, pa i përmendur nuk kanë mbetur as gazetarët e artistët, rreth të cilëve, Jolie, thotë se kanë pësuar luftë mediale në përpjekje të mbrojtjes së familjarëve të tyre.

“Unë mendoj për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët afganë, të cilët tani jetojnë në frikë për të ardhmen. Dhe aktivistët dhe gazetarët dhe artistët që fshihen, duke fshirë profilet e tyre në mediat sociale dhe duke djegur dokumente në një përpjekje për të mbajtur veten dhe familjet e tyre të sigurta”, shprehet Jolie.

Mes tjerash, Angelina Jolie, është shprehur kritikuese ndaj menaxhimit të situatës nga autoritet amerikane.

“Pas gjithë gjakderdhjes dhe përpjekjes, sakrificës dhe kohës, Amerikës duket se i ka munguar vullneti për të planifikuar këtë tranzicion në një mënyrë të menaxhuar. Asnjëherë nuk do të ishte e lehtë ose e përsosur, por mund të ishte më mirë, më e mirë dhe më e sigurt”.

“Unë, dhe miliona amerikanë, i dhamë besimin dhe besimin tim administratave të njëpasnjëshme, të cilët na thanë se ne ishim në Afganistan për të mbrojtur vendin tonë dhe për të mbështetur një shtet të ri demokratik afgan”, u shpreh më tej ajo.

Angelina besonte se amerikanët po bënin gjënë e duhur, se po qëndronin krah për krah me afganët dhe se po luftonin në një kauzë fisnike.

Por, kritikat e Jolie ndaj Amerikës duket të mos kenë fund!

Madje, ajo thotë të ndihet e turpëruar nga mënyra se si “Amerika i ktheu shpinën Afganistanit”.

“Si amerikane më vjen turp nga mënyra e largimit tonë. Ne kemi humbur fuqinë për të ndikuar në atë që tani ndodh në Afganistan. Neve na mungon një strategji për të monitoruar dhe mbështetur gratë dhe shoqërinë civile në Afganistan”.

“Ndalimi i vajzave nga shkolla, kufizimi i grave në shtëpi dhe vendosja e dënimeve brutale fizike, përfshirë goditjet publike, ndaj çdo gruaje që perceptohet se kanë dalë nga rreshti. Ne përballemi me një krizë të re refugjatësh, në krye të zhvendosjes rekord globale, me gati një çerek milion afganë të zhvendosur brenda vendit që nga maji – 80% e tyre gra dhe vajza”, thotë Jolie.

Angelina mirëkupton të gjitha shtetet aleate të SHBA-ve, të cilat aktualisht po drejtojnë gishtin nga Amerika, për situatën e krijuar në Afganistan.

“Aleatët tanë me të drejtë janë të mërzitur, duke fajësuar SHBA për një tërheqje të shpejtë, të njëanshme që humbi mundësinë për çdo plan të koordinuar për të ruajtur disa nga fitimet e arritura në vend. Ne duhet të pranojmë dhe të trajtojmë këto realitete, nëse duam të kemi ndonjë shpresë për të mësuar nga ky moment i errët”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Angelina Jolie, ka shkruar letrën për ta publikuar në “Times”, ajo është shprehur e mahnitur me popullin afgan dhe mënyrën e stilit të tyre të jetesës për të punuar dhe përmisuar vendin e tyre.

Simpati të veçantë ajo ka krijuar ndaj vajzave dhe grave afgane, si shtresa më e rrezikuar nga pushteti taleban.

Ndërkaq, letra e saj përfundon me një – lutje.

“Unë jam e mahnitur nga të gjithë afganët që kanë punuar për të përmirësuar vendin e tyre në njëzet vitet e fundit. Ndërsa shkruaj, mendoj veçanërisht për gratë dhe vajzat afgane, të cilat kanë më shumë arsye për t’u frikësuar”.

“Lutem që forca juaj të takohet me respekt, jo me frikë apo agresion, nga kushdo që kërkon të qeverisë Afganistanin”, ka përfunduar Jolie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore