Kosova

Dialogu Kosovë-Serbi pritet të vazhdojë më 7 dhe 8 shtator


Selia e Komisionit Evropian në Bruksel.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel më 7 dhe 8 shtator, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin po e lehtëson Bashkimi Evropian (BE).

Këtë takim e kanë konfirmuar burimet diplomatike në Bruksel, duke thënë se agjenda e bisedimeve nuk është caktuar ende, raportojnë mediat në Serbi.

Ky takim pritet të jetë në nivel të shefave të ekipeve negociuese.

Delegacionin e Kosovës do ta kryesojë zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë drejtori i të ashtu quajturës “Zyrës për Kosovën dhe Metohinë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Po ashtu, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka biseduar përmes telefonit me të dy kryenegociatorët pikërisht për të përgatitur takimin e tyre të radhës.

“Pata diskutime përmbajtjesore, të ndara, me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me drejtorin e Zyrës së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviç, rreth përgatitjeve për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ky takim pritet të shërbejë edhe për të përgatitur një takim në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Takimi pritet të zhvillohet gjatë muajt shtator, por data për të nuk është caktuar ende.

Albanian Post, ka kontaktuar edhe me zyrën për informim të Qeverisë së Kosovës për të i pyetur lidhur me këtë çështje, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Takimi i fundit mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë është zhvilluar më 19 korrik, por pa prodhuar asnjë rezultat konkret.

Pas këtij takimi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklarur se në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Çfarë është dialogu Kosovë-Serbi?

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në politikën e jashtme të BE-së është një nga projektet më të rëndësishme. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik.

Në tetor të vitit 2012, ky proces kaloi nga niveli teknik në atë politik, kur kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç nisën negociatat.

Në prill të vitit 2013, palët arritën marrëveshje dhe e njëjta njihet si “Marrëveshja e Brukselit”, por shumica e marrëveshjeve që janë pjesë e saj, ende nuk kanë gjetur zbatim nga ana e Serbisë.

Ndërkaq Kosova, Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë (ASK) nuk po mund ta zbatoj ngase Gjykata Kushtetuese e Kosovës në mendimin e saj kishte gjetur shumë mospërputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës, Kushtetutën.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Megjithëse, rajoni thuhet se në një të ardhme do të bëhet pjesë e bllokut evropian, megjithatë ka kritere për pranimin e anëtarëve të rinj në BE.

Prandaj, më 2018, gjatë përpilimit të strategjisë së zgjerimit, u tha qartë se të gjitha vendet që duan të anëtarësohen në BE, fillimisht duhet të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura që kanë me fqinjët e tyre.

“Politika e zgjerimit të BE-së duhet të vazhdojë të sjellë stabilitet. Prandaj, BE-ja nuk mund dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje dypalëshe”, thuhet në strategjinë e zgjerimit të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore