Kosova

Kosovë: 575 pacientë të shtrirë nëpër klinika për trajtim të COVID-19


Klinika Infektive e Kosovës

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se gjatë ditës së mërkurë 575 pacient janë të shtrirë në Klinikat COVID-19 dhe në spitalet e përgjithshme.

Po ashtu ata kanë bërë të ditur se 468 persona janë të konfirmuar me COVID-19, kurse 418 me oksigjeno-terapi. Gjendjen më të rënduar shëndetësore e kanë 29 pacientë.

Ndërsa në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë të shtrirë 206 pacient, prej tyre 170 janë pozitiv me COVID-19, kurse 155 me oksigjeno-terapi.

Në Klinikën Infektive janë 113 pacientë, Klinikën e Pomologjisë 36 pacientë, Klinikën e Pediatrisë 4 pacientë, Klinikën e Gjinekologjisë 11 pacientë dhe Klinikën Infektive (Mjekësia Sportive), 44 pacientë.

Kurse në spitalet e përgjithshme po trajtohen 369 pacientë, ku prej tyre 289 janë me COVID-19, ndërsa 263 janë me oksigjeno-terapi.

Spitali i Prizrenit ka 70 pacientë, i Gjakovës 91 pacientë, i Pejës 64 pacientë, i Gjilanit 81 pacientë, i Mitrovicës 15 pacientë, i Vushtrrisë 11 pacientë dhe Spitali i Ferizajt 37 pacientë.

Gjatë ditës së martë në Kosovë janë raportuar 5 raste të vdekjeve ndërsa pozitive me COVID-19, kanë rezultuar 1 mijë e 765.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë  10 mijë e 183.

Pas rritjeve të rasteve me COVID-19 në Kosovë, janë marrë edhe masa të reja nga Ministria e Shëndetësisë(MSH), për të parandaluar përhapjen e virusit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë një konferencë për media ka thënë se përhapja e variantit Delta e ka bërë situatën epidemiologjike shumë serioze në Kosovë.

“Përhapja e variantit Delta e ka bërë situatën epidemiologjike shumë serioze në vendin tonë dhe e konfirmon edhe njëherë se përhapja e këtij varianti është shumë e lartë, dominuese që nuk përjashton asnjë grup moshë, përfshirë edhe moshat e reja. Kjo valë e përfshirjes dhe kjo situatë serioze kërkon ndërhyrje të menjëhershme për masat e reja për t’i dhënë prioritet shëndetit të qytetarëve”, ka thënë Vitia.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore