Shqipëria

Politikanët shqiptarë: BE-ja, miku i mirë në kohë të vështira


Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, të mërkurën e 4 gushtit, ka shprehur mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian (BE), për ndihmën e dhënë në përballimin e situatës me vatrat e zjarrit në Shqipëri.

Përmes një postimi në median sociale Twitter, kryetari i opozitës ka shkruar se aktivizimi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile nga BE-ja, për Shqipërinë dhe vendet e rajonit është “një lajm shumë i mirë” në këtë “moment kritik” të përballjes me zjarret.

Sipas tij, BE-ja është “miku i mirë në kohë të vështira”, duke ju gjendur pranë vendit tonë, në këtë situatë emergjente.

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në median sociale Facebook, tha se ishte “i shumëpritur aktivizimi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile nga BE-ja, për Shqipërinë.

Ai ka shprehur mirënjohje për solidaritetin dhe ndihmën e BE-së, në kushtet e një situate tepër të rrezikshme të përballjes me zjarret.

BE ofron ndihmë për zjarret në Shqipëri

Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, ka njoftuar se Komisioni Evropian është duke u mobilizuar për t’u ardhur në ndihmë vendeve në parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe mbrojtjen e jetës.

“Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të dërguar ndihmë, ndërsa zjarret janë ndezur në të gjithë Evropën. Falënderoj Qipron, Çekinë, Francën, Slloveninë dhe Holandën që vendosën me shpejtësi aeroplanë zjarrfikës, helikopterë dhe një ekip zjarrfikësish për të mbështetur vendet e prekura shumë nga zjarret në pyje”.

Komisioni Evropian (KE) bën me dije gjithashtu se dy helikopterë nga Çekia dhe Holanda do të dërgohen për të mbështetur operacionet në Shqipëri.

Po ashtu, KE njofton se Sllovenia po dërgon një ekip prej 45 zjarrfikësish në Maqedoninë e Veriut.

“Dy helikopterë për shuarjen e zjarreve po dërgohen nga Franca në zonat e prekura në Itali.
Ndërsa dy të tjerë, nga Qipro po mbështesin Greqinë, në krye të një ekipi zjarrfikës për të mbështetur operacionet në terren”.

Këto dislokime vijnë si shtesë e operacioneve të shuarjes së zjarrit të koordinuara nga BE që, aktualisht, janë duke vazhduar në Turqi, si dhe në Sardenjë, Itali në fund të korrikut.

Qendra e Bashkimit Evropian për Koordinimin e Reagimit të Emergjencave 24/7 është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e mbrojtjes civile të vendeve të prekura nga zjarret për të monitoruar nga afër situatën dhe kanalizuar ndihmën e BE-së.

Riaktivizohen disa vatra zjarri në Shqipëri, 9 zonat më problematike

Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar situatën e zjarreve në Shqipëri, mbrëmjen e 3 gushtit.

Sipas njoftimit, në Gadishullin e Karaburunit, ndodhen 521 forca ushtarake dhe 50 mjete në vendngjarje.

Ndërsa një vatër zjarri është zhvilluar në Himarë, rreth orës 11:00, ku 15 efektivë të Bashkisë Himarë po e mbajnë nën kontroll situatën.

Po ashtu, në Qarkun e Shkodrës, zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme në fshatin Cukal. Deri tani janë djegur 10 ha kullotë, ndërsa situata është në monitorim.

Në Bashkinë Gjirokastër, sipas njoftimit, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar fshatin Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo. Në këtë zonë është raportuar një humbje jete dhe një e plagosur.

Të angazhuar janë punonjës të forcave zjarrfikëse, Policia e Shtetit, Forca të Emergjencave Civile, Forca të Armatosura,  urgjenca mjekësore me 5 autoambulanca.

Po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri me helikopterë.

Gjithashtu njoftohet riaktivizuar vatra në kodrat e fshatit Qesorat, njësia administrative Lunxhëri, bashkia Gjirokastër. Në vendngjarje kanë shkuar gjashtë zjarrfikës me dy mjete.

Po ashtu, dhe vatra e zjarrit në pyllin e fshatit Shetaj, është riaktivizuar. Forcat e Policisë së Shtetit, punëtorë të ndërmarrjeve të Bashkisë Durrës dhe dy mjete zjarrfikëse me gjashtë efektivë po punojnë për të mbajtur nën kontroll flakët.

Ndërsa shërbimi i zjarrfikëses në Kavajë ka njoftuar për një vatër zjarri në fshatin Domën në lagjen  Xhelezaj.

Në Tiranë, në rrugën “Dine Hoxha”, te Bregu i Lumit, në Paskuqan ka rënë zjarr në një pikë skrapi. Tre shërbime zjarrfikëse si dhe shërbimet e policisë po merren me normalizimin e flakëve. Nuk ka rrezik për banesat.

Ndërsa në Qarkun e Beratit u njoftua se ka rënë zjarr në shkurre në fshatin Zogas, në Skrapar. Në vendngjarje kanë shkuar forcat dhe mjetet e MZSh Skrapar, të cilët kanë bërë izolimin e flakëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore