Kosova

Kosovë: MINT sqarohet për shfuqizimin e masave për bllokat e importuar nga Serbia


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

Të premten, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në një njoftim për media ka sqaruar edhe shfuqizimin e masave mbrojtëse Antidamping për bllokat e importuar nga Serbia.

“Bazuar në kërkesën e Shoqatës së Prodhueseve të Materialit Ndërtimor me bazë argjilore, të datës 16.03.2016, Departamenti i Tregtisë, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kishte realizuar një hulumtim dhe në koordinim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, bazuar në nenin 48 të Ligjit mbi Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese më datën 07.07.2016, kishte rekomanduar dhe vendosur masën mbrojtëse antidamping prej 0,02€ për bllokat standard 19x19x25 të importuar nga Serbia”.

Në njoftim thuhet gjithashtu se “kjo ka ndodhë si rezultat i shitjes së produktit në tregun e Kosovës nën vlerën normale të çmimit të tregut dhe se importi i produkti në fjalë dëmtonte prodhuesit vendorë në Kosovë”.

Sipas tyre, ky vendim i marrë më datë 07.07.2016 nuk e specifikonte afatin prej 5 vitesh ashtu siç parashihet me ligj, së fundmi Departamenti i Tregtisë, duke u bazuar edhe në interpretimin ligjor nga Departamenti Ligjor në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht sipas nenit 46, paragrafit 2 dhe nenit 47 paragrafit 5, 6 dhe 7 të Ligjit për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese, dhe pas konsultimit me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, ka konstatuar se vendimi i masës mbrojtëse antidamping për bllokat standard 19x19x25 të cilët importohen nga Serbia duhet të shfuqizohet.

MINT i është referuar nenit 46, paragrafi 2, ku thuhet “Çdo detyrim përfundimtar antidamping apo kundërbalancues duhet të skadojë pas një maksimumi prej 5 vitesh nga vendosja e tij” si dhe sipas nenit 47, paragrafit 7 “Masat e vendosura në bazë të kësaj procedure të skadimit mund të zgjasin deri në 5 vjet”.

“Prandaj duke i marrë parasysh të gjitha këto veprime është shfuqizuar vendimi, sepse më datë 07.07.2021, sipas afateve ligjore, janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase”.

Me tej është bërë e ditur se kjo ministi aktualisht është duke përcjellë për së afërmi sektorin e prodhimit të materialit ndërtimor me bazë argjilore dhe është duke analizuar importin dhe çmimet e shitjes së produktit në fjalë nga Serbia dhe së shpejti do të dalë me analiza konkrete.

“Nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendorë me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të marrë vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vendosë përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia”.

Veprim mashtrues të qeverisë e ka quajtur ish kryemistri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për heqjen e taksës për bllokat e ndërtimit që importohen nga Serbia.

“Mashtrimi vazhdon! Shet leksione patriotizmi në negociata, e në anën tjetër e heq çdo barrierë që mbron prodhuesit vendor nga prodhimet serbe”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Ndërsa edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, e ka quajtur Qeverinë e Kosovës si hipokrite, pas vendimit të Ministres së Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për heqjen taksës ndaj bllokave të ndërtimit të importuara nga Serbia.

Lushtaku ka thënë se Kosova do të vërshohet me produktet serbe

“Fatkeqësisht kjo qeveri po lejon vërshimin e mallrave serbe në tregun e Kosovës, kështu po hapen dyert Serbisë e po i mbyllen Shqipërisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore