Kosova

Krasniqi për Sebrenicën: Mohimi përbën fazën e fundit të një gjenocidi


Memli Krasniqi, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka përkujtuar 26 vjetorin e masakrës së Sebrenicës, duke etiketuar këtë akt si krimi makabër i qytetërimit bashkëkohor.

I pari i PDK-së masakrën e Sebrenicës e ka cilësuar si gjenocid.

“26 vjet më parë ndodhi një nga krimet më makabër që njeh qytetërimi bashkëkohorë – Gjenocidi i Srebrenicës. Ne sot jo vetëm qe duhet të kujtojmë viktimat e Srebrenicës, por edhe të përballemi me këdo që përpiqet të retushojë historinë dhe të mohojë krimet e shovinizmit serb”. Mohimi përbën fazën e fundit të një gjenocidi ndërsa harresa përbën një krim të ri përkundrejt viktimave”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një statusi në faqen e tyre në Facebook e ka përkujtuar, masakrën e Sebrenicës.

“Gjenocidi në Srebrenicë është tragjedia më e madhe që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Vrasja e gjakftohtë e mbi 8 mijë civilëve boshnjak nga aparati shtetëror e represiv serb, është dëshmi se plagët në Ballkan janë të thella e të rënda – mbi të gjitha të paharrueshme”.

Masakrën e Sebrenicës e ka përkujtuar edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj duke krahasuar vuajtjet e popullit boshnjak me vuajtjet e popullit të Kosovës, të cilat ishin viktimë i të njëjtit shtet.

“Kujtojmë sot mijëra jetë të shuara në Srebrenicë, nga regjimi mizor i Millosheviqit. Njerëz të pambrojtur e pa asnjë faj, përfshirë edhe fëmijë, gra e të moshuar, pësuan nga projektet shoviniste të realizuara përmes gjenocidit. Populli i Kosovës, i cili ishte po ashtu viktimë e të njëjtit terror shtetëror, i kupton më së miri dhembjet, përjetimet dhe vuajtjet e popullit boshnjak dhe bashkëndjen me ta!”, ka shkruar ai në Facebook.

Para katër dite, Kuvendi i Kosovës, me 89 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, kishte miratuar rezolutën për dënimin e gjenocidit për Srebrenicën.

Masakra e Srebenicës

Në korrik 1995-ës, forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenica.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

ICTY zbuloi se forcat serbe të Bosnjës filluan planifikimin e gjenocidit gjatë fazës përfundimtare të Luftës tre-vjeçare të Bosnjës, në Mars 1995.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Pas masakrës, ushtarët serbë të Bosnjës rihapën varret masive me makineri të rënda dhe zhvendosën mbetjet njerëzore në varret dytësore dhe terciare.

Qëllimi i tyre ishte të fshihnin krimet e tyre. Patologëve iu është dashur të marrin dhe copëtojnë mbetjet njerëzore nga zona të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore