Kosova

Ritmi i Krasniqit në Rrugën drejt kryetarit


Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së

Dikur reper dhe tekstshkrues. Më pas zëdhënës qeverie, ministër e deputet. Ritmi i kreut të ri të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, në politikë ishte me hapa të sigurt. Një djalë nga Prishtina, mori drejtimin e një partie që u themelua nga ish-krerët e luftës së UÇK-së.

Po kush është Memli Krasniqi, që sot u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës pa kundërkandidat?

Memli Krasniqi gjatë vitit 1999-të deri në vitin 2000 ka punuar si gazetar në agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press.

Ndërsa në vitin 2002,  Krasniqi ka shërbyer si Drejtor për Marrëdhënie me Publikun në Qendrën e Telemjeksisë në Kosovë.

Nga viti 2004 është angazhuar në mënyrë aktive në poltikë në Partinë Demokratike të Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe ka shërbyer në kabinetin e ish-kryetarit, Hashim Thaçi, që ishte kreu i Partisë Demokratike të Kosovës.

Thaçi e ka angazhuar Krasniqin fillimisht në Qendrën për Studime Politike.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, gjatë vitit 2006, Memli Krasniqi u zgjodh Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës, ku përfaqësonte anëtarët e saj nga mosha 16 deri në 30 vjeç.

Memli Krasniqi gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2007 e fitoi mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Krasniqi u emëruar  këshilltar Politik i Kryeministrit dhe Zëdhënës i Qeverisë. Kjo ishte edhe pozita më e lartë që mori Krasniqi për herë të parë.

Thaçi, si kreu u PDK-së, Krasniqin filloi ta përgadiste për poste më të rëndësishme.

Në vitin 2011 Krasniqi u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në muajin shkurt të vitit 2013, Krasniqi u zgjodh nënkryetar i PDK-së, që nisi edhe ngritjen në pozita të rëndësishme në parti.

Ndërsa sërish në zgjedhjet e parlamentrare të vitit 2014 u rizgjodh deputet.

Në koalicionin në mes LDK-së dhe PDK-së, Krasniqit iu besua digasteri i Bujqësisë.

Për herë të dytë mori post ministror, në qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa.

Krasniqi pas rrëzimit të qeverisë LDK-PDK, sërish fitoi garën për deputet, duke marr 19 mijë e 76 vota, që mund të konsiderohet edhe gara më e sukesshme e tij në zgjedhje nacionale.

Kësaj here Krasniqi nuk u bë pjesë e ekzekutivit, por PDK-ja ia besoi shefin e Grupit Parlamentar, një pozitë e rëndësishme në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2019, Krasniqi mori 11mijë vota dhe e siguroi mandatin e pestë si deputet.

Në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme të këtij viti, Krasniqi sërish mori 15 mijë e 912 vota për deputet, që ishte mandati i tij i gjashtë në Kuvend.

Memli Krasniqi ka lindur më 25 janar të vitit 1980 në Mitrovicë. shkollën fillore e ka kryer në shkollën “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Shkollën e Mesme e ka përfunduar në gjimnazin “Xhevdet Doda”, në Prishtinë.

Krasniqi ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Po ashtu ka mbaruar magjistraturën në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (LSE). Memli Krasniqi është i martuar me Meliza Krasniqin dhe kanë tre fëmijë, Borën, Malin dhe Verën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore