Kosova

Kurti: Ende nuk e kam lexuar raportin e SHBA-së për Ujmanin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se ende nuk e ka lexuar raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për liqenin e Ujmanit dhe se me atë çështje do të merren ekipet kompetente.

Kurti pas një simpoziumi me temën “E ardhmja e Planifikimit Territorial në Kosovë”, në një deklaratë të shkurtër për media tha se raportin e SHBA-së për Ujmanin do ta komentojnë më vonë.

“Nuk e kam lexuar ende raportin, kemi ekipet që merren me këtë gjë, dhe pastaj do ta komentojmë”,  u shpreh shkurt Kurti.

Ndryshe, një ditë më parë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës raportin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i paraparë në njërën nga pikat e Marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington.

Raporti propozon formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.

Në marrëveshjen ekonomike të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia më datë 4 shtator të vitit 2020 në Washington, Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar që për Liqenin e Ujmanit të punohet me Qeverinë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij rezervuari, si furnizues i ujit dhe energjisë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, Liqeni i Ujmanit ka qenë pjesë e projektit në vitet e 70-ta dhe është ndërtuar me kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish-Jugosllavisë, kurse obligimet dhe marrëveshjet i kanë nënshkruar njësitë federale, në këtë rast Kosova.

Pa ujin e Liqenit të Ujmanit, Kosova do të mbetej pa rrymë brenda pak orësh. Uji i tij përdoret për ftohje dhe destinacione tjera në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Planet për rindërtimin e termocentralit tjetër të ri, të njohur si “Kosova e Re”, varen nga furnizimi me ujë nga ky liqen.

Me ujë nga ky liqen furnizohet edhe kompleksi metalurgjik “Ferronikeli” në Drenas. I ndërtuar mes viteve 1979-1984, Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh akumulues në Kosovë.

Tre liqenet e tjerë janë: Liqeni i Batllavës në Komunën e Podujevës, i Badovcit afër Prishtinës dhe Liqeni i Radoniqit në Komunën e Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore