Jetesë & Stil

Vazhdon lufta për kujdestarinë e fëmijëve, mes çiftit Jolie-Pitt


Fëmijët e Angelina Jolie dhe Brad Pitt, nuk do të dëshmojnë në procesin gjyqësor për kujdestarinë e tyre, mes çiftit të njohur të showbizit.

Angelina Jolie, gjatë procesit të kujdestarisë, kritikoi gjyqtarin që vendoste për masat e kujdestarisë për fëmijët e saj dhe Brad Pitt, duke thënë në gjykatë, se gjyqtari refuzoi të lejojë fëmijët e tyre të dëshmonin.

Jolie, e cila ka kërkuar të skualifikojë gjyqtarin John Ouderkirk nga çështja e kujdestarisë, tha se ai nuk pranoi të dëgjonte provat, që ajo tha se ishin të rëndësishme, për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve, përpara se gjykatësi të lëshonte një vendim paraprak.

Dokumentet e paraqitura në gjyq nuk sqarojnë se cilat mund të jenë ato prova.

“Gjykatësi Ouderkirk i mohoi, Jolie një gjykim të drejtë, duke përjashtuar në mënyrë të pahijshme provat e saj në lidhje me shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve, prova kritike për të bërë çështjen e saj”, sipas paraqitjes në Gjykatën e dytë të Apelit në Kaliforni.

Aktorja gjithashtu tha se “vendimi i gjyqtarit është i dëmshëm për interesat e fëmijëve të saj, nëse kujdestaria i jepet një personi me një histori të dhunës në familje”.

Jolie kërkoi divorcin nga Brad Pitt në vitin 2016, disa ditë pasi shpërtheu një mosmarrëveshje në fluturimin e tyre  me avion privat, të cilët ishin duke udhëtuar me fëmijët e tyre nga Franca në Los Anxhelos.

Pitt u akuzua se ishte abuziv ndaj djalit të tij gjatë fluturimit, por hetimet nga zyrtarët e mirëqenies së fëmijëve dhe FBI, u mbyllën pa u ngritur asnjë akuzë kundër aktorit. Avokati i Jolie tha në atë kohë se ajo kërkoi një divorc për shëndetin e familjes.

Fëmijët nuk do të mund të dëshmojnë në gjykatë, në lidhje me përvojat, nevojat ose dëshirat e tyre për fatin e kujdestarisë, edhe pse sipas rregullave të gjykatës në Kaliforni, një fëmijë 14 vjeç e më lartë duhet të lejohet të dëshmojë nëse duan ata.

Tre nga gjashtë fëmijët e Jolie dhe Pitt janë adoleshentë, Pax 17-vjeçar, Zahara 16-vjeçar, dhe 14-vjeçari Shiloh. Më i moshuari, Maddox, është 19 vjeçar dhe nuk i nënshtrohet vendimit të kujdestarisë. Aktorët gjithashtu kanë binjakë 12-vjeçarë, Vivienne dhe Knox.

Avokatët e Brad Pitt thanë, “Ouderkirk ka kryer një procedim të gjerë, gjatë gjashtë muajve të fundit në një mënyrë të plotë, të drejtë, dhe arriti një vendim dhe urdhër paraprak pasi dëgjoi nga ekspertët dhe dëshmitarët e aftë.”

Ai thotë se kundërshtimet dhe vonesat e mëtejshme të Jolie në arritjen e një marrëveshje do të “dëmtonin rëndë fëmijët, të cilëve do t’u mohohet më tej qëndrueshmëria”.

Nuk është ende e qartë se cila është marrëveshja aktuale e kujdestarisë, kur filloi procesi i divorcit, Jolie kërkoi kujdestarinë fizike primare, që do të thotë se fëmijët do të jetonin më shumë se gjysmën e kohës me të, por janë bërë ndryshime që nuk janë bërë publike, ndërsa Pitt kërkoi kujdestarinë e përbashkët.

Avokatët e të dy aktorëve nuk pranuan të komentojnë mbi ngjarjet e reja.

“Znj. Jolie ka punuar privatisht për katër vjet e gjysmë për të shëruar familjen e saj dhe për të luftuar për përmirësime të sistemit për të siguruar që familjet e tjera të mos përjetojnë atë që ajo ka duruar ”, deklaroi Peter Harvey, avokati i Angelina Jolies për median Associated Press.

Angelina Jolie dhe Brad Pitt ishin ndër çiftet më të popullarizuar të Hollywood për 12 vite. Ata kishin dy vite martesë kur Jolie bëri kërkesë për divorc. Ata u shpallën të divorcuar në prill të vitit 2019, pasi avokatët e tyre kërkuan një vendim që lejonte një çift të martuar të deklarohej beqar, ndërsa çështjet e tjera mbetën, duke përfshirë financat dhe kujdestarinë e fëmijëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore