Shqipëria

BE-ja dënon rastet e abuzimit seksual në Shqipëri: NO means NO!


“NO means NO!”.

Kjo është thirrja e Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, mbi rastet e fundit të abuzimeve seksuale, të bëra mediatike gjerësisht.

“Përdhunimi është krim dhe indiferenca vret”, përmbledh në pak rreshta Soreca.

Nga ana tjetër, në Twitter-in e delegacionit evropian në Shqipëri, shprehet qartësisht indinjata ndaj këtij fenomeni.

“Delegacioni i BE-së dënon forcërisht rastet e fundit të abuzimeve të vajzave. Nuk ka justifikim për përdhunimin dhe për asnjë formë të abuzimit seksual”, shkruhet në postim.

Thirrje bëhet gjithashtu për të mbrojtur vajzat.

“Drejtësia, policia, shërbimet sociale dhe gjithë institucionet, duhet të veprojnë kundër kësaj dhune të llahtarshme”, përmbyllet postimi.

Në gjithë opinionin publik, ka pasur një indinjatë të lartë për rastet e shtuara të abuzimeve me vajzat. Fushata të ndryshme në media sociale kanë filluar të shfaqin fotografitë e autorëve të këtyre abuzimeve.

Motoja kryesore e tyre ka qenë: “Përdhunuesit kanë emër”.

Shoqatat dhe organizatat e ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë rreshtuar në mbrojtje të vajzave, duke dënuar moralisht dhe ashpërsisht autorët e abuzimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore