Kosova

Një darkë me Vuçiç-in në Bruksel


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë në Bruksel këtë martë.

Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Takimin e 18 majit në Bruksel e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu.

“Do të takohen të gjithë përfaqësuesit, përkatësisht liderët e Ballkanit Perëndimor. Ky lloj organizimi i shërben komunikimit dhe diskutimit ndërmjet të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbi ato që konsiderohet interesa dhe qëllime të përbashkëta”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas Kryeziut, ky forum është mundësi e mirë për të zhvilluar diskutimin mbi marrëdhëniet bilaterale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Është forum shumë i mirë që të ketë diskutime të hapura mbi synimet e shteteve në raportet me BE-në dhe forma të tjera të bashkëpunimit”, ka thënë ai.

Në fund muajit prill, Kryeministri Kurti ka qëndruar në vizitë dy ditore në Bruksel ku ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të BE-së.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, më 26 prill deklaroi se dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 11 maj, por që Kurti para mediave në Bruksel ishte deklaruar se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore