Lajme

900 ushtarë të Azovit janë internuar, sipas Rusisë


Pas evakuimit të tyre nga fabrika e çelikut dhe qymyrit, Azovstal, në Mariupol, rreth 900 luftëtarë të regjimentit azov janë dërguar në internim, sipas autoriteteve ruse.

Ata gjenden momentalisht në një zonë të kontrolluar prej ushtarëve të Kremlinit, pas një marrëveshjeje të arritur për evakuimin e tyre.

Sipas autoriteteve ukrainase, regjimenti azov do të shkëmbehet me pengje ruse të luftës.

Mirëpo, të dhënat deri tani, janë kontradiktore, pasi fillimisht u deklarua se ishin 260 të evakuuar, ndërsa tanimë, Rusia pretendon se ka rreth 900 luftëtarë azov.

Më saktësisht, zëdhënësja e shtypit e diplomacisë ruse, Maria Zakharova, ka deklaruar se në tërësi, janë 959 personel, të cilët janë dorëzuar të martën në Mariupol dhe janë të deklaruar tashmë si pengje lufte.

Prej tyre, 51 janë dërguar në spitale, si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën ndodhen.

Pjesa tjetër, gjenden në internim në qytetin e Olenivkas, një zonë e rajonit të Donetsk-ut, e kontrolluar nga rusët.

Nga pala ukrainase, është deklaruar se ka shpresë për një shkëmbim të shpejtë, në mënyrë që “heronjtë e azovit të kthehen në shtëpitë e tyre”.

Megjithatë, fati i tyre mbetet i paqartë.

Vetë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk e ka përcaktuar ende zyrtarisht nëse atyre do t’u adresohen si kriminelë lufte apo si të burgosur lufte.

Deklarata të mëparshme të disa zyrtarëve rus, lanë të nënkuptuar faktin se azovët mundet edhe të gjykohen për krime lufte, për përdorimin e një objekti zyrtar si fabrika e çelikut, për qëllime lufte.

Gjithsesi, Kievi zyrtar, përfshi vetë presidentin Volodymyr Zelensky, bënë me dije se do të bëjnë gjithçka është e mundur, për t’i risjellë ata në territorin e tyre.

Mendohet gjithashtu se një pjesë luftëtarësh mund të ndodhen ende në tunelet e fabrikës. Por, një plan ushtarak shpëtimi, nuk ka ende për ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore