Lajme

9 humbje jete nga ortekët në Austri, rritet gatishmëria


Nëntë persona kanë humbur jetën, si pasojë e një orteku, në një rajon të njohur në Austri.

Nga e premtja deri të dielën, më shumë se 100 ortekë kanë goditur rajonin perëndimor të Tyrol-it, duke bërë që niveli i rrezikut në vend të rritet.

Autoritetet vendase thanë se situata ishte “e paprecedentë” dhe paralajmëruan se mund të ketë më shumë ortekë.

Gjithashtu në Zvicër u regjistruan dy humbje jete.

Me reshje të mëtejshme bore dhe erëra të forta të parashikuara në Tyrol, niveli i paralajmërimit për ortekët në Austri, i cili ka një shkallë nga një në pesë, u rrit në nivelin e katërt, që do të thotë se “ka të ngjarë të ketë ortekë shumë të mëdhenj”.

Nga nëntë personat që vdiqën në Austri, tetë prej tyre u raportuan në Tyrol, i cili njihet për peizazhet e tij malore alpine dhe vendpushimet për ski.

Të premten, katër skiatorë suedezë dhe udhërrëfyesi i tyre malor gjetën vdekjen pranë vendpushimit të skive Ischgl në kufi me Zvicrën.

Grupi kishte dalë për ski jashtë pistës kur u përfshi nga një ortek.

Sipas shërbimeve të urgjencës, vetëm një anëtar i grupit mbijetoi pasi arriti të thërriste për ndihmë dhe u largua me helikopter.

Në të njëjtën ditë, një burrë 60-vjeçar dhe gruaja e tij, 61 vjeç, vdiqën, ndërsa bënin ski pranë fshatit Auffach, tha policia.

Më pas të shtunën, një vendas 58-vjeçar u vra në Schirmn pranë qytetit të Innsbruck nga një ortek që plagosi katër persona të tjerë, sipas transmetuesit austriak ORF.

Të dielën, një skiator me përvojë, 43 vjeç, u vra në rajonin më perëndimor të Austrisë, Vorarlberg.

Mediat lokale raportuan se 480 punonjës të shpëtimit u përfshinë në operacionet emergjente në të gjithë rajonin, si dhe forcat e armatosura austriake dhe helikopterët e ushtrisë.

Ortekët janë të zakonshëm, në vende të tilla si Austria dhe Zvicra.

Shërbimi i paralajmërimit të ortekëve këshillon skiatorët pa përvojë të qëndrojnë në pista dhe shtigje skish të hapura dhe për skiatorët me përvojë të qëndrojnë larg terreneve shumë të pjerrëta, ndërsa niveli i katërt i alarmit është në vend.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore