Lajme

9 avionë rusë u shkatërruan gjatë sulmit në Krime, sipas Ukrainës


Forcat ajrore të Ukrainës pretendojnë se në sulmin e bërë në një bazë ajrore ruse të gjendur në gadishullin e Krimesë, janë shkatërruar nëntë avionë luftarakë rusë të modele të ndryshme, të cilët gjendeshin në hangarin e tyre pranë Novofedorivka-s.

Një gjë të tillë, Ministria ruse e Mbrojtjes e ka mohuar që prej ditës së djeshme, kur sulmi ndodhi.

Mirëpo, të kundërtën e raportojnë autoritet ukrainase, të cilat kanë marrë zyrtarisht përsipër sulmin ndaj bazës.

Mendohet se ai është kryer me raketat “Neptune”, një prodhim ekskluziv i Kievit, i cili nuk është testuar kurrë më parë, përveçse ndaj sulmit të ndërmarrë kundër luftanijes gjigande ruse në Detin e Zi, Moskva, e cila u fundos prej ukrainasve dhe cilësohet ende si sulmi më i suksesshëm i tyre dhe fitorja më e madhe përgjatë ciklit 170 ditor të luftës.

Kremlini, ka mohuar gjithashtu se avionë janë dëmtuar gjatë asaj të cilën ata e përcollën publikisht si “shpërthim municionesh”.

Shtëllunga të stërmëdha tymi gjithsesi, u raportuan dhe fotografuan, me prejardhje nga baza e Novofedorivka-s. M

Në një rast kur përtej avionëve, mund të jetë dëmtuar edhe pista e ngritjes apo aspekte të tjera logjistike të bazës, kjo do të ishte një goditje e madhe për Ukrainën dhe një fitore në vetvete.

E gjitha, pasi baza i shërben Ushtrisë moskovite për të sulmuar batalionet ukrainase të vendosura në jug të territorit, të cilat bëjnë edhe mbrojtjen nga pushtuesit rusë.

Agjencitë e pavarura të lajmeve ende nuk e kanë konfirmuar ngjarjen dhe atë çfarë ka ndodhur konkretisht.

Megjithatë, një zyrtar i lartë i mbrojtjes ukrainase, në kushtet e anonimatit, ka rrëfyer për median amerikane “The Washington Post” se sulmi është ndërmarrë vërtetë nga Ukraina dhe goditja ka qenë e kalibruar dhe realizuar sipas pritshmërive.

Një bilanc konkret ndërkohë, ende pritet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore