Lajme

88 milionë njerëz të një province kineze janë infektuar me COVID


Thuajse 90% e popullatës në provincën kineze të Henan-it – e treta për nga numri i banorëve – është infektuar me COVID-19.

Kështu kanë bërë me dije vetë autoritetet shëndetësore kineze, ku në bilancin paraprak, shifra tregon një numër prej 88.5 milionë njerëzish të infektuar.

Një tregues ky më se i qartë, se Kina po përballet me valën më të ashpër të mundshme të coronavirusit, që prej shpërthimit të tij në Wuhan në fundin e vitit 2019.

E gjithë situata ndërkohë, është krijuar teksa Pekini zyrtar ka hapur kufijtë zyrtarisht për udhëtarët e huaj dhe ka hapur kufijtë e brendshëm plotësisht për transportin publik.

Prishja e politikës zero-COVID pas protestave të dhjetorit, mendohet se mund të jetë edhe arsyeja kryesore e këtij shpërthimi të COVID-19, pasi popullsia kineze nuk e ka kaluar në një masë të lartë pandeminë botërore.

Të paktën, kështu është thënë në shifra zyrtare.

Duke qenë se turistëve, sërish, një test PCR i vlefshëm për 48 orët e fundit do t’u duhet për të shkuar në Kinë, situata nuk do të jetë kaotike në vajtje.

Por, sa i përket daljes nga Kina, problematikat kanë filluar, me një sërë shtetesh, të cilat kanë vendosur të kërkojnë testin negativ për këdo që vjen nga shteti aziatik.

Në tokë kineze, po pritet po ashtu një valë shumë e lartë udhëtarësh nga Hong Kongu, rreth 400 mijë syresh, të cilët do të shkaktojnë me shumë mundësi kaos në aeroporte.

Megjithatë, me COVID-19 nëpër këmbë, nuk do të jetë i lehtë edhe kalimi i tyre për në tokën kineze.

Protestat e shumta kundër politikës zero-COVID e kanë stepur Qeverinë nga marrja e masave ekstreme.

Veçse, nëse skenari i rihapjes rezulton me raste të shtuara në masë, rishikimi mbetet gjithnjë aty si opsion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore