Kosova

87 policë u dorëhoqën sivjet, Hoxha: Po shohim me Sveçlën mundësitë buxhetore për plotësimin e kërkesave të NjSI-së


Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, gjatë një konference për media ka thënë se si sfidë mbetet parandalimi i dorëheqjeve të zyrtarëve policor, meqë numri i tyre ka shënuar ngritje të lehtë, krahasuar me vitet e kaluara.

“Sivjet kemi pasur 87 zyrtarë policorë të dorëhequr, vitin e kaluar kanë qenë 50, në këtë rast i shtohen edhe 13 zyrtarë policorë që kanë qenë në Veri. Kemi pas një trend të vogël të rritjes të dorëheqjeve”, tha Hoxha.

Gjatë konferencës së fundit për këtë vit, kryepolici kosovar u pyet nga gazetarët edhe për kërkesat e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese dhe njësive tjera, derisa shtoi se ato po shqyrtohen.

“Për pagesat ne jemi duke bashkëpunuar me ministrin për të parë se cilat janë mundësitë buxhetore që policët e Kosovës të paguhen më shumë dhe të adresohen kërkesat e tyre, por do e shohim cilat janë mundësitë buxhetore”, theksoi ai.

Ndryshe, për herë të parë prej themelimit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e njësiteve elitare policore janë detyruar të dalin në protesta dy herë.

Ata kanë kërkuar të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve, ndërsa rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Përfaqësuesit e NjSI/FIT ishin takuar me kryeministrin Albin Kurti në mes të nëntorit, rreth dy javë pas protestës së parë, por ndonëse takimi kishte zgjatur më shumë se dy orë, nuk është arritur ndonjë marrëveshje për shkak se kreu i ekzekutivit nuk ka pranuar të tërhiqet nga pozicioni i tij në raport me kërkesat e specialëve.

Madje, Pjesëtarët e NjSI-së kishin mbetur të shtangur nga Kurti, kur gjatë takimit të përbashkët që u zhvillua të mërkurën e 15 nëntorit, kryeministri i Kosovës iu tha se ajo çfarë kanë bërë me 24 shtator kur u përballën me terroristët serbë nuk përbën ndonjë sukses të madh nga ana e tyre, meqë thjesht “i keni vrarë tre veta nga distanca me snajper”.

Albanian Post ekskluzivisht ka kuptuar çfarë është biseduar në mes të pjesëtarëve të NjSI-së, grupit elitë të policisë, të njohur edhe si FIT dhe Albin Kurtit, i cili u ka thënë se nuk mund t’ua plotësojë kërkesat e prezantuara, sepse “nuk mund të dorëzohem para jush”.

Përfaqësuesit e NjSI-së, pas muajsh pritje dhe premtime nga Qeveria, kur panë kategorizimin e shtesave për njësitet speciale të policisë, kuptuan se kërkesat e tyre për kategorizim si njësi të veçanta dhe përfshirje në listën e ekspertëve nuk janë marrë parasysh.

NjSI shpesh portretizohet si krenaria e shtetit dhe shëmbëlltyrë e zhvillimit dhe profesionalitetit të organeve të Kosovës. Në përgjithësi, Policia e Kosovës në sondazhe del si një nga institucionet më të besueshme dhe më të respektuara për qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore