Konstituimi i Komisionit të Dezinformimit – Opozita jo uniformë, Doda dhe Mediu të pranishëm

SHFLETO
Rajmonda Basha
26.06.2024 7:30
Loading Icons...

Këtë të mërkurë të 25 qershorit, në orën 9:00 pritet të mblidhet Komisioni i Dezinformimit ku do bëhet konstituimi i tij.

Puna e këtij komisionit, drejtuar nga deputeti socialist Erion Braçe, do të nisë pa praninë e opozitës.

Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi ka shprehur vendosmërinë për të mos marrë pjesë. Megjithatë, nga ana e mazhorancës nuk kanë munguar thirrjet për ulje në tavolinë.

Ftesës i janë përgjigjur vetëm Mesila Doda si përfaqësuese e grupit parlamentar “Demokraci dhe Integrim”, ndërsa grupi “Aleanca për Ndryshim” ka konfirmuar se do të përfaqësohet me Fatmir Mediun.

Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita.

Me 73 vota pro dhe shtatë kundër, mazhoranca parlamentare ka votuar pro ngritjes së një komisioni të posaçëm sa i takon ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike të vendit, përfshi edhe dezinformimin.

Gjerësisht, ky organ do të njihet edhe si Komisioni i posaçëm për Dezinformimin.

Hapin e parë e ka hedhur me kalimin e tij në Konferencën e Kryetarëve, ku mori vetëm votat e shumicës dhe me një mazhorancë tejet skeptike rreth tij.

Opozita në retorikën e saj është qartazi kundër ngritjes së tij. E ka bërë të dukshme këtë me nisjen e seancës së 11 prillit.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e quajti qesharak, duke përsiatur një parashikim se mund të mos prodhojë asgjë.

Mandej, kryetarja për Komisionin e Medias, Flutura Açka, përshkroi se ky Komision me mandat njëvjeçar, po bëhet për të kapur median përpara zgjedhjeve 2025.

Ina Zhupa, një tjetër deputete demokrate, arriti deri aty sa t’i jepte “nota komunizmi”, kalimit të këtij Komisioni në Parlament. Agron Gjekmarkaj është po ashtu në merak për rolin “e fshehtë” që mund të ketë në “kapjen e mediave”.

Ky nuk është rasti gjithsesi për të majtët.

Nga sa ka arritur të mësojë Albanian Post rreth çështjes dhe asaj çfarë është shpalosur konkretisht nga shumica qeverisëse, Komisioni është një kërkesë e aleatëve perëndimorë dhe si i tillë nuk paraqet rreziqet e supozuara nga opozita.

Ai do të bazohet në disa shembuj, përfshi edhe Komitetin e Posaçëm të Parlamentit të BE-së për Ndërhyrjen e Jashtme, i cili ka zbuluar se fushatat e ndërhyrjes së huaj në Ballkanin Perëndimor synojnë vende individuale dhe ndikojnë negativisht në orientimin dhe stabilitetin e tyre euro-atlantik.

Kjo është evidentuar si problematikë e madhe nga socialistët dhe ndaj është kërkuar ngritja e shpejtë e këtij Komisioni.

Çështja ka të bëjë për ta edhe me zotimet që Shqipëria ka marrë në këtë fushë gjatë Samitit Ukrainë-Evropa Juglindore, ku ka pasur rekomandime lidhur me këtë dhe mbi të gjitha, bazohet edhe në Memorandumin e Mirëkuptimit, i cili është firmosur gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, më 15 shkurt në Tiranë dhe ka të bëjë me marrjen e hapave kundër manipulimit të informacionit të një shteti të huaj.

Kryesisht, keqinformime të tilla vijnë në rrugët ballkanike prej vendeve si Rusia dhe Kina, të cilat ndër armë kryesore në luftën kundrejt frontit perëndimor kanë edhe lajmet e rreme.

Sa i takon funksionalitetit, Komisioni i Posaçëm pritet të zhvillojë dëgjesa me palët kryesore të interesuara, që prej zyrtarëve të lartë qeverisës, shoqërisë civile, aktorëve mediatike, apo përfaqësues të biznesit.

Fokusi i tij pritet të jetë identifikimi i tendencave të ndërhyrjes në proceset demokratike, të cilat mund të shfaqen në mënyra të ndryshme, duke përfshirë fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, shtrëngimin ekonomik të aktorëve publikë dhe përmbysjen e shoqërisë civile.

Çfarë duhet pasur parasysh me dezinformim?

– Lajme të rreme (fake news): “rrëfime të rreme të ngjarjeve, të shkruara dhe të lexuara në faqet e internetit” sipas Fjalorit anglisht të Oksfordit. Qëllimi i lajmeve të rreme nuk është domosdoshmërisht të mashtrojë lexuesit ose të shkaktojë dëm.

– Keqinformim: Përmbajtja e rreme ose mashtruese e krijuar ose e shpërndarë jo domosdoshmërisht me qëllimin për të shkaktuar dëm, edhe pse rezultati i tij është dëmi.

– Dezinformim: Informacion i rremë ose mashtrues, të cilin përhapësit e përdorin qëllimisht për të shkaktuar dëm.

– Manipulimi i informacionit dhe ndërhyrja nga aktorët e huaj: një ndërhyrje e jashtme malinje, mjet i luftës hibride.

Sipas Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, ai është “një model sjelljesh kryesisht jo ilegale që kërcënon ose potencialisht ka një ndikim negativ në vlerat, procedurat dhe proceset politike. Ky aktivitet, i cili ka karakter manipulues, zhvillohet në mënyrë të qëllimshme dhe të koordinuar.

Aktorët e këtyre aktiviteteve mund të jenë shtetërorë ose joshtetërorë, duke përfshirë proxy (përfaqësues) të tyre brenda dhe jashtë territorit të përfshirë”.