Kulturë

82 vjet nga pushtimi italian i Shqipërisë


Ditën e sotme, Muzeu Historik Kombëtar, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka përkujtuar 7 Prillin 1939, kur Shqipëria u sulmua nga Italia Fashiste.

Në atë kohë, trupat e Mussolinit, të drejtuara nga gjeneral Alfredo Guzzoni sulmuan gjitha portet e Shqipërisë njëkohësisht.

Anijet u ndanë në katër grupe dhe zbarkuan në Vlorë, Durrës, Shëngjin dhe Sarandë.

Në Durrës, një forcë prej 500 shqiptarëve, xhandarëve dhe vullnetarëve, e udhëhequr nga Abaz Kupi, komandanti i xhandarmërisë së Durrësit, dhe Mujo Ulqinaku, u rezistuan forcave italiane.

Të armatosur me armë të lehta dhe tre mitraloza, mbrojtësit rezistuan disa orë.

Pas zbarkimit të një numri të madh të tankeve nga anijet, rezistenca u thye dhe brenda pesë orëve, italianët morën qytetin.

Kur mëngjesin e 7 prillit 1939 filloi agresioni ushtarak italian kundër Shqipërisë, Zogu nuk i shpalli gjendjen e luftës Italisë dhe kjo qe “vetëvrasje politike”, e cila dëmtoi jo vetëm atë, por gjithë Shqipërinë.

Kjo çoi në trajtimin e Zogut në Perëndim si emigrant i zakonshëm dhe jo si kryetar i një shteti demokratik.

Pasi grabiti arkën e financës shtetërore, ai u largua nga Shqipëria pa bërë asnjë deklaratë dhe sapo kaloi kufirin e shpërndau qeverinë duke e lënë Shqipërinë pa qeveri antifashist.

Me të dëgjuar këtë lajm, një masë e zemëruar njerëzish sulmoi burgjet, liroi të burgosurit dhe plaçkiti rezidencën e Zogut.

Në orën 13:30 të 7 prillit, të gjitha portet shqiptare ishin në duart e pushtimit italian.

Në orën 9:30 të ditës tjetër, trupat italiane hynë në Tiranë dhe morën gjitha ndërtesat qeveritare. Kolonat e ushtarëve italianë marshuan drejt Shkodrës, Fierit dhe Elbasanit.

Shkodra u dorëzua në mbrëmje pas 12 orëve luftime. Gjatë sulmit italian në Shkodër, turma sulmoi burgjet dhe liroi 200 të burgosur.

Arratisja e Zogut krijoi në Shqipëri vakum institucional, i cili i dha mundësi Benito Musolinit për të manipuluar statusin politik të Shqipërisë sipas interesave të Italisë fashiste.

Më 12 prill, një Asamble Kombëtare e përbërë nga kolaboracionistë të rekrutuar nga qarqet monarkiste zogiste dhe qarqet antizogistë në emigracion, shpalli se në Shqipëri nuk kishte ndodhur okupacion ushtarak, por vetëm ndërrim i kreut të shtetit.

Shqipëria, si gjithë vendet e tjera, do kalonte nga kalvari i Luftës Botërore, por kundërshtia ndaj pushtimit në ditët e para, do ta radhiste Aleancën e Madhe Antifashiste një nga vlerat më të pamohueshme në historinë tonë moderne.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore