Lajme

80 ditët që e kthyen Mariupol-in e lulëzuar në gërmadhë


Mariupol-i, thuajse pas tre muajsh nën sulmin e pamëshirshëm… ka rënë.

Për ushtrinë ukrainase, misioni i vet luftarak në qytetin port të rrethuar, ka përfunduar.

Ai, më shumë se nga secili qytet tjetër ukrainas, ka simbolizuar brutalitetin e sulmit rus dhe kokëfortësinë e rezistencës vendase.

Fotografi 36-vjeçar Ivan Stanislavsky, më 23 shkurt, e la çantën e kamerës së tij në zyrë.

Ishte në rrugë për të parë skemën e librit të tij të ri mbi muralet e epokës sovjetike të Mariupol-it, në shtëpinë e një kolegu, dhe nuk donte të merrte pajisjet përreth.

Teksa qëndronte në rrugë, jashtë zyrës së mbyllur dhe të shkretë, ai arrinte të dëgjonte zhurmën bubullimë të bombardimeve nga lindja.

Qyteti ishte mes flakësh.

Kur konflikti u intensifikua dhe të shtënat me armë u bënë të dëgjueshme edhe nga perëndimi, Ivan e zhvendosi dyshekun e tij në dhomën e pritjes.

Grumbulloi koleksionin e tij të madh të librave të artit në të kundërt të dritareve të banesës së vet në lagjen Primorsky.

Edhe në lagjen Kalmiusky, biznesmeni Yevhen po merrte gjithashtu masa paraprake.

47-vjeçari i kishte thënë familjes së tij të bënin valixhet gati që të mund të iknin nga qyteti. Por, kur u kthye nga zyra, pa se nuk ishte bërë asgjë.

Familja nuk pranoi të largohej.

Në një apartament në të njëjtin bllok, metalurgët nga fabrika e çelikut aty pranë, 43-vjeçarja Nataliia dhe 41-vjeçari Andrii, po prisnin dy bukët e fundit që kishin mundur të blinin.

I lanë ato të thaheshin që të mund t’i hanin pjesë-pjesë gjatë javëve në vijim.

Po ashtu, ndihmësi 52-vjeçar në Kalmiusky, Volodymyr, ishte në kuzhinën e tij, duke u përpjekur t’i kuptonte lajmet.

Kur nisën raportimet për rusët që marshonin nëpër fshatin Chonhar, në një rrugë strategjike nga Krimea në perëndim, atij iu mor fryma.

Kuptoi se ishte një sulm i koordinuar.

Sakaq, dispeçeri i ambulancës ishte në telefon.

22-vjeçarja Mariia e udhëzoi Volodymyr-in t’i injoronte telefonatat rutinë.

Por ata i thanë “gjeni të plagosurin”.

E diplomuar në inxhinieri, e reja mendonte se shpërthimet kishin lidhje me ndonjë stuhi.

“Nuk dinim çfarë të bënim”, ka treguar Maria, e cila ashtu si Ivan-i jetonte në Primorsky.

“Nuk kisha kohë të mendoja për të ardhmen time, planet e mia. Më duhej të mendoja se çfarë do të haja dhe pija”, ka vijuar.

Kështu, kuptoi papritur se përse në ditët e fundit ushtarët ishin shfaqur në dyqanin ku punonte dhe kërkonin të blinin shirit blu dhe të verdhë.

Sepse kishin nevojë për të identifikuar uniformat.

Katër ditë pas luftës, me mbylljen e luftimeve, Ivan dhe gruaja e tij kërkuan strehim në një bodrum nën supermarketin e tij lokal.

Ofroi mbrojtje të mirë dhe Ivan-i zbuloi se mbytja e zërit ia zbehte ndjenjën e ankthit në rritje.

Jeta e përditshme ishte duke u venitur… rëndësi kishin thelbësoret.

“Jetuam si primitivë”, ka pohuar ai nga Lviv-i, ku po qëndron.

“Thyenim degë pemësh, ndiznim zjarre, gatuanim në zjarr”, ka treguar.

Ai ishte dëshmitar i një rendi që po shpërbëhej. Kështu, mbajti ditar dhe çka shkroi u publikuan më vonë në internet.

Në hyrjen e 6 marsit të atij ditari shkruhet: “Epoka e Gurit erdhi”.

Ka shkruar edhe për bashkëqytetarët ukrainas që bastisën dyqanet e braktisura, pa hezituar të merrnin edhe rroba banje, apo të brendshme.

I vetëdijshëm se furnizimet mjekësore dhe paratë po shteronin, ai thjesht ndjente neveri.

“Jemi armiqtë tanë më të këqij”, ka pohuar.

Brenda disa javësh, Mariupol-i u shpërbë.

Ushtria ruse e rrethoi atë, duke sulmuar furnizimet me energji dhe ujë.

Më 9 mars, një sulm ajror rus goditi maternitetin dhe një aeroplan bombardoi teatrin një javë më vonë.

Ivan-u u habit se si mund të ndodhte kaq shpejt e gjitha.

“I gjithë qyteti, e gjithë infrastruktura e tij, sistemi i furnizimit, logjistika, furnizimi me energji… u shkatërruan brenda pak ditësh”, ka treguar ai.

Sipas tij, Mariupol-i nuk ka qenë kurrë si tani.

Kur filluan luftimet në vitin 2014, qeveria humbi kontrollin e Mariupol-it për një kohë të shkurtër pas përleshjeve me protestuesit pro-rusë.

Në janar 2015, një sulm shkatërrues me raketa nga rebelët në skajin lindor të qytetit vrau thuajse 30 civilë.

Paçka se gradualisht lufta u shua, zhurma e artilerisë në distancë ishte pjesë e peizazhit të përditshëm të qytetit.

Por, qyteti vazhdoi.

Qeveria ukrainase e bëri atë kryeqytet administrativ të rajonit të Donetsk Oblast, duke zëvendësuar qytetin e Donetsk-ut të kontrolluar nga rebelët.

“Filloi të merrte të gjitha burimet dhe të gjithë vëmendjen”, ka thënë Ivan.

Ndërtesat publike u rinovuan, kafenetë u hapën dhe u krijuan parqe të reja.

Tetorin e kaluar, kryetari i bashkisë Vadym Boychenko u mburr për krijimin e shërbimeve më të mira komunale në vend, hapjen e një shkolle IT-je dhe promovimin e artit dhe sportit bashkëkohor.

Planet ishin në zbatim për parkun më të madh ujor në Ukrainë dhe një version të Disneyland-it, “i cili ndoshta do të quhej Mariland”.

Në fakt, Mariupol-i u shpall “kryeqyteti i madh i kulturës” së Ukrainës në vitin 2021.

Por teksa ai lulëzoi, Donetsk-u i mbajtur nga rebelët u formua.

Kur rebelët u kthyen në Mariupol, ndihmësmjeku Volodymyr, besoi se ata ishin të shtyrë nga hakmarrja për të shkatërruar qytetin.

“Ata thjesht na shikonin dhe na kishin zili se si jetonim”, ka thënë.

Ndërsa biznesmeni Jevhen e ka përshkruar jetën në Mariupol në pesë vitet e fundit si “një përrallë”.

“Qyteti po rindërtohej, të gjitha rrugët u rinovuan, transporti publik u përmirësua”, ka treguar.

Për të, rusët nuk kanë nevojë për njerëz që mendojnë, kanë nevojë për territor.

“Nëse Mariupol-i pushtohet nga Rusia, nuk do të ketë më të ardhme… nuk do të ketë asgjë për të jetuar. Të jetosh në territore të panjohura, do të thotë të varrosësh të ardhmen e fëmijëve të tu”, ka shtuar ai.

Në qytet kanë mbetur afro 150 mijë njerëz, nga një popullsi prej gati gjysmë milioni. Shumica e atyre që kanë mbetur atje, po përpiqen gjithashtu të arratisen.

“U largova nga Mariupol-i, por shpirti im është atje”, ka treguar ai me sytë e rrëmbushur.

Nataliia dhe bashkëshorti i saj Andrii kanë punuar në uzinën e Illich, një nga dy uzinat e hekurit dhe çelikut që ngrihen mbi horizontin e qytetit.

Ata kalonin ditë të gjata në punë dhe koha e lirë ishte e çmuar.

“Ishte qytet i mrekullueshëm, i ngrohtë, me parqe, koncerte, shatërvanë. Një qytet evropian”, ka thënë ajo.

Lulëzimi i qytetit doli në pah edhe në fotografitë e Ivan-it.

Me pasionin për të kaluarën e qytetit, projekti i tij i përkëdhelur dokumentoi koleksionin e mrekullueshëm të Mariupol-it të muraleve sovjetike.

Rëndësia kulturore e ruajtjes së veprave të tilla të jashtëzakonshme duket e pamohueshme, por në Mariupol nostalgjia për Bashkimin Sovjetik u përplas në mënyrë të shqetësuar me identitetin modern.

Një identitet gjithnjë e më evropian i Ukrainës.

“Politika e pengoi këtë trashëgimi kulturore të integrohej në kontekstin artistik të Ukrainës”, ka dalluar ai.

Dhe, në mënyrë të pashmangshme, kur mbërriti lufta, edhe kultura e gjeti veten të luftuar.

Më 28 prill, këshilli i qytetit denoncoi vjedhjen e pretenduar nga Rusia të më shumë se dy mijë ekspozitave nga muzetë e qytetit dhe më shumë se 200 medalje.

Drejtoresha e Muzeut të Historisë Lokale të Mariupol-it, Natalia Kapustnikova, ka treguar se u kishte dorëzuar personalisht rusëve piktura nga Ivan Aivazovsky dhe Arkhip Kuindzhi.

Ajo pretendoi se “nacionalistët” ukrainas kishin djegur 95 për qind të ekspozitave të muzeut.

Por nuk ishte e vetmja zyrtare vendase që ushqente ndjenja pro-ruse.

Më 9 prill, prokurori i përgjithshëm i Ukrainës akuzoi një anëtar të këshillit të qytetit, Kostyantyn Ivashchenko, për tradhti, pasi ai u shpall kryetar bashkie nga separatistët pro-rusë në Donetsk.

Partia pro-ruse e Ivashchenkos ishte mbështetur në zgjedhjet e fundit të qytetit, duke u renditur e dyta, ndërsa partia e presidentit Volodymyr Zelensky zuri vendin e pestë.

Në një sondazh të kryer pak përpara zgjedhjeve, thuajse gjysma e popullsisë së qytetit e identifikoi veten si “ruse”, megjithëse 80 për qind e përshkruan veten gjithashtu si “ukrainas”.

Sakaq, më pak se 20 për qind u vetë-identifikuan si “evropianë” dhe më shumë se 50 për qind thanë se ishin “sovjetikë”.

Nataliia, babai i së cilës është rus, i kërkoi falje bashkëshortit të saj kur filloi bombardimi. “Më vinte turp që isha ruse”.

Kurse Marija, gjuha e parë e së cilës është rusishtja, kur filloi bombardimi nisi të “urrente” gjithçka ruse… gjuhën, filmat, objektet.

Ky identitet kompleks i Mariupol-it nuk është aspak unik në Ukrainën e sotme, një vend që formoi një pjesë integrale të Bashkimit Sovjetik deri në rënien e komunizmit në fund të viteve 1980.

Është e dyshimtë nëse ndonjë nga ata që e ka përshkruar veten si “rus” ose “sovjetik”, ka dashur ta shohë qytetin të shkatërruar, në një përpjekje të dhunshme për ta tërhequr atë përsëri në orbitën e Moskës.

Ironikisht, kur erdhi momenti për të mbrojtur qytetin nga pushtuesit rusë, ishte një pjesë tjetër e trashëgimisë sovjetike të Mariupol-it që luajti rol thuajse ikonik.

Kjo trashëgimi, e varrosur thellë nën tokë, është labirinti i bunkerëve nën punimet e tjera të çelikut të ndërtuara nga autoritetet sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë.

36 strehëzat e bombave siguruan vend për më shumë se 12 mijë njerëz.

Pas pavarësisë në vitin 1991, askush nuk mendoi aq shumë për to. Por më pas, nisën luftimet në vitin 2014.

“Filluam të mendonim se çfarë do të bënim nëse luftimet përhapeshin më tej në qytet”, ka treguar Enver Tskitishvili, drejtori i përgjithshëm i Azovstal-it.

Trajnimi për përdorimin e bunkerëve dhe tuneleve lidhëse vazhdoi për vite me radhë.

Në fillim të shkurtit, kur frika nga ripërtëritja e konfliktit u bë më e madhe, përgatitjet u shpejtuan. Ushqimi dhe uji u sollën një javë para pushtimit.

Zyrtarët e uzinës e dinin se strehëzat e bombave do të pushtoheshin së shpejti, por nuk e kishin idenë se Azovstal-i, i rrethuar me ujë nga tre anët, do të bëhej skena e qëndresës.

Me kalimin e ditëve, lufta iu afrua gjithnjë e më shumë banesës së Ivan Stanislavsky.

Daljet në kërkim të ushqimit, madje edhe në dyqanin aty pranë vetëm 400 metra larg, ishin gjithnjë e më të rrezikshme.

Pasi kishte pak komunikim mes civilëve dhe ushtarëve.

Kur mbrojtësit e qytetit luftuan në betejën e tyre të humbur, Ivan dëgjoi zëra në bodrumin e tij që filluan të mallkonin presidentin Zelensky që e la Mariupol-in në vullnetin e vet.

Me gjithë lavdërimet e grumbulluara për mbrojtësit e qytetit, ishte e qartë që në fillim se qyteti nuk ishte prioriteti kryesor i qeverisë.

Përballë kërcënimeve ruse në një sërë frontesh, qeveria Zelensky zgjodhi të sigurojë kryeqytetin, duke penguar atë që ndoshta ishte prioriteti kryesor i Vladimir Putin-it.

Çka nënkuptonte lënien e forcave ruse të arrinin një tjetër synim të tyre të paraluftës: krijimin e një korridori tokësor midis Krimesë  dhe separatistëve në Donbas.

Por për të bllokuarit në qytet, duke luftuar ose thjesht duke u përpjekur të mbijetojnë, ishte një pilulë e hidhur.

“Duket se çmimi do të jetë pas vdekjes”, ka shkruar Ivan te ditari i tij.

Ai nuk mund të duronte më.

Jashtë supermarketit, ai pa kufoma të grumbulluara nën një mur. Njerëzit që dikur rrinin në radhë për ushqim, tani ishin në radhën e të vdekurve, duke pritur për t’u varrosur.

Kështu, më 15 mars, Ivan-i mori katër anëtarë të familjes në Skoda Fabia-n e tij dhe u bashkua me një kolonë për udhëtimin e ndërlikuar në veri-perëndim për në Zaporizhzhia-n e kontrolluar nga qeveria.

“Në kokën time po i them lamtumirë këtij vendi. Kam ndjesinë se nuk do të kthehemi më këtu”, ka shkruar ai asokohe.

Një ditë më vonë, Marija dhe pesë të afërmit e saj u larguan gjithashtu me makinë.

Teksa dolën nga Mariupol-i, kolona e tyre u sulmua dhe makinat duhej të përshpejtonin jashtë rrezikut, duke u nisur fillimisht në Zaporizhzhia, më pas në Dnipro.

Të nesërmen, Nataliia dhe Andreii u larguan.

Një fqinj u ofroi atyre një hapësirë në makinën e tij.

Çifti arriti në qytetin Khmelnytskyi, ku kanë shitur koleksionin e monedhave të familjes për të mbijetuar.

Në të njëjtën kolonë, Jevhen udhëtoi me gruan e tij dhe dy të afërm të tjerë. Tani, ai është në Dnipro, duke ndihmuar banorët e tjerë që ikën nga Mariupol-i.

Nga ana tjetër, Volodymyr qëndroi atje për aq kohë sa mundi, për t’u kujdesur për nënën e tij të moshuar.

Por e privuar nga ushqimi dhe ilaçet speciale, ajo ndërroi jetë.

Edhe ai u largua prej andej më 21 prill dhe po punon vullnetar në një spital në Dnipro.

“Ka mijëra e mijëra familje si e imja”, ka treguar.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore