Lajme

6 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, Begaj mesazh urimi


E sotmja duhet të jetë një ditë reflektimi për secilin prej nesh për më shumë solidaritet për të afërmin, dashuri për njëri-tjetrin dhe shërbim për vendin!

Kështu shkruan presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në 6-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Për presidentin, Nënë Tereza është dëshmi e gëzimit, që buron nga dashuria për jetën dhe për madhështinë e dinjitetit njerëzor.

“Bija shqiptare është simbol i mohimit të privilegjit vetjak dhe shërbimit të pakursyer ndaj të vuajturit, të uriturit, të pamundurit e të harruarit”.

Titullin më të lartë të katolicizmit, ajo e mori kur në sheshin “Shën Pjetër” të Romës, Papa Françesku njohu dy mrekulli në shërimin e të sëmurëve. E gjitha, nëpërmjet lutjeve të saja.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”.

Këto do të ishin fjalët e Anjezës ndër vite shërbimesh ndaj të varfërve.

Sot, urdhri i Nënë Terezës, është i shtrirë në mbi 100 vende të botës. Në shërbim, janë 4 mijë misionarë, të cilët frymëzohen nga vepra e saj.

E përulur siç ishte ajo përpara të thjeshtëve, ashtu ishin dhe pushtetarët përpara saj. Të panumërt ata të cilët e takonin, puqeshin në një pikë të vetme.

“Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.

Një shqiptare e shekujve – prej gjashtë vjetësh – edhe e shenjtëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore