Kosova

6 minatorëve u përkeqësohet gjendja shëndetësore në grevë, Kurti s’përgjigjet për situatën


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media është pyetur për veprimet që do të ndërmarrë për situatën në minierën e Trepçës, tash e katër ditë ku punëtorët janë në grevë dhe gjashtë prej tyre deri tani kanë pasur probleme shëndetësore.

Kreu i ekzekutivit ka refuzuar të përgjigjet duke e tejkaluar këtë pyetje, teksa është përgjigjur për ato se çfarë kanë bërë për Policinë e Kosovës deri tani.

“Për gjatë këtij viti 2 mijë e 134 policë kanë pasur në Republikën e Kosovës, të ardhura mesatare më të larta se 1 mijë euro. Në qershor dhe korrik këtë vit janë afër 700 policë të cilët kanë marrë pagë me shtesa, më të lartë sesa presidentja e Kosovës”, ka thënë ai.

Opozita të enjten në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar nga pushteti që të marrë masa urgjente për të ndalur grevën e minatorëve.

Vetëm të premtën gjashtë minatorë janë dërguar pa vetëdije në Spitalin e Mitrovicës, në ditën e katërt të kësaj greve, por sërish insistimi i tyre ka qenë se nuk do ta ndërpresin grevën deri në plotësimin e kërkesave.

Fotografi e publikuar të martën.

Lajmin për gjendjen e minatorëve e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Jonuzi.

“Gjendja është alarmante, ndihma e shpejtë po vjen dhe po merr punëtorë pasi po u përkeqësohet gjendja”.

Më 25 tetor, edhe një punëtori i është përkeqësuar gjendja shëndetësore të cilin më pas e kanë dërguar në spitalin rajonal të Mitrovicës.

Minatorët e “Trepçës”, që nga e premtja kanë bojkotuar punën meqë nuk u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator.

Edhe të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës, është diskutuar për grevën e minatorëve të Trepçës, e po ashtu është shkarkuar Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Por, që s’është marrë asnjë vendim konkret nga ekzekutivi për të parandaluar këtë grevë.

Punëtoret e Trepçës, së fundmi kishin protestuar për dy ditë radhazi për mos marrjen e pagave të muajit korrik.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore