Shqipëria

Opozita “berishocentrike”, win-win story për individin


Në politikë, si në jetë, duhen fituar sprovat e forcës, përndryshe kthehen në disfata.

Protesta e organizuar sot nga Partia Demokratike (por do të ishte më mirë të thuhej nga Sali Berisha, sepse foltorja ishte vetëm e tija, aq sa edhe Ilir Meta pothuajse nuk u pa) ishte menduar të përmbante një shtysë kundër Qeverisë, kundër korrupsionit, një thirrje për ndryshim, një revolucion, qëllimi kryesor i të cilit është “mbrojtja e të vërtetës”, ku pjesëmarrës duhet të ishin 80-100 mijë njerëz.

Cfarë ndodhi?

Shifra të sakta nuk ka. Kush ka qenë në shesh flet për 20 mijë. Të tjerë që nga telekamerat e panë, japin shifra në gjysmë të saj, por e sigurt është një pjesëmarrje më e vakët, shumë më e vakët nga sa mendohej, me sigurisht praninë e militantëve më të zjarrtë (që as të tillë nuk qenë).

Berisha në protestë ngriti tonin e përplasjes në nivele të larta, me retorikën e tij kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisjes së tij nën sloganin “Rama ik”.

Nëse ju duket familjar, është sepse mbetet i njëjti jo prej qeverisjes së Ramës, me fillim në vitin 2013, por edhe në dekadën e fillimit të viteve 2000, ku ish-kryeministrit, Fatos Nano, gjejeni si ia kërkonin lagimin: Nano Ik!

Kauzat e protestës në pjesën më të madhe të saj janë të drejta. Korrupsioni endemik, shpopullimi, pensionet dhe pagat më të vogla në rajon, deficitet në arsim dhe edukim.

Problemi gjithsesi qëndron në përfaqësinë e gabuar.

Qeverisjen e Berishës dhe Metës ky vend e ka provuar dhe retorika – arma e vetme që me sa duket i ka mbetur kreut të demokratëve – nuk mjafton të tërheqë votat e zgjedhësve.

Qëllimi i kryedemokratit më shumë se revolucioni ishte diku tjetër: forcimi i pozitave të tij brenda PD-së, përballë zgjedhjeve lokale dhe në prag të gjyqit që do të vendosë se kujt do t’i përkasë vula.

Beteja e sheshit ishte beteja për vulën dhe një mesazh për gjykatën, prandaj nuk ishte askush përveç Berishës.

Mbi të parën zgjedhjet, lidhur me pjesëmarrjen e cunguar të kryeqytetit në demonstratë, vështirë është ta besosh se Belind Këlliçi ia del përballë Erion Veliajt.

Mbi të dytën, vulën, për Berishën sido të shkojë çështja, mbetet në vetvete një “win-win story” me rrëfimin e tij politik, të cilit mirë ia ka gjetur anën për të mbetur një PD “berishocentrike”.

Dhe çështja McGonigal, në dukje kauzë për të luftuar Edi Ramën, në fakt është vetëm një mjet hakamarrjeje personale, për një Berishë të plagosur nga shpallja e tij non grata nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar.

Lideri demokrat hedh akuza bombastike dhe shpall teorinë e tij, sipas së cilës Edi Rama kurdisi një komplot ndërkombëtar, duke korruptuar ambasadorët e huaj, me qëllim shkatërrimin e opozitës demokratike.

Një vizion paranojak, gjithnjë e më i largët nga realiteti dhe që injoron ekuilibrin real të forcave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Por ai po luan gjithçka me armët që janë më të pëlqyeshme për të: Agresionin dhe retorikën.

Jo fare i papritur reagimi i kryeministri Edi Rama, i cili shfaqet në rrjetet sociale duke përfunduar një skulpture me mesazhin “Ai momenti kur njëri thotë varja se u pre rruga dhe tjetri thotë jo, sapo u hap një rrugë e re”.

Një mënyrë për ta bërë të qartë se demonstrata e Berishës dhe akuzat e tij nuk e shqetësojnë atë dhe se ai nuk ka frikë nga një ringjallje elektorale e Partisë Demokratike.

Ndoshta momenti i gabuar për të përfunduar një skulpturë!

Berisha, i fortë brenda PD-së, mund të jetë ndoshta në fillim të rënies së tij, por demokratët në shesh dhe jo në shesh, janë pjesë e atij populli që kërkon zgjidhje për probleme reale, që vështirë e kanë të gjejnë rrugën dhe liderin.

Se kush ka të drejtë mes të dyve do ta shohim së shpejti. Në fund të fundit në demokraci është numri i votave, ai që e jep fuqinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore