Lajme

500 krerë shtetesh dhe personalitete të huaja do të marrin pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth Il


Funerali i Mbretëreshës Elizabeth Il do të jetë një nga mbledhjet më të mëdha të anëtarëve të familjes mbretërore dhe politikanëve të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar për dekada.

Pritet që afro 500 krerë shtetesh dhe personalitete të huaja të marrin pjesë.

Atje priten anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa, shumë prej të cilëve ishin të afërm gjaku të Mbretëreshës.

Mbreti Philippe i Belgjikës dhe Mbretëresha Mathilde kanë konfirmuar se do të jenë atje, ashtu si edhe Mbreti Willem-Alexander i Holandës dhe gruaja e tij, Mbretëresha Maxima, së bashku me nënën e tij, ish-mbretëresha holandeze, Princesha Beatrix.

Mbreti Felipe dhe mbretëresha Letizia e Spanjës kanë pranuar gjithashtu një ftesë, si dhe familjet mbretërore të Norvegjisë, Suedisë, Danimarkës dhe Monakos.

Presidentët e SHBA-ve

Edhe Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti Joe Biden do të marrë pjesë së bashku me Zonjën e Parë Jill Biden.

Shumë diskutime ishin fokusuar nëse Presidenti Biden do të ftonte paraardhësin e tij, Donald Trump, për të qenë pjesë e delegacionit amerikan, por kufizimet në madhësinë e delegacionit nënkuptojnë se ish-presidentët nuk do të jenë domosdoshmërisht në gjendje të marrin pjesë.

Ka pasur spekulime se disa ish-presidentë dhe zonja të para – veçanërisht Obama – mund të marrin ftesa private.

Udhëheqësit e Commonwealth-it

Pritet që të marrin pjesë liderë nga i gjithë Commonwealth-i, ku Mbretëresha shërbeu si kryetare gjatë gjithë mbretërimit të saj.

Kryeministri australian Anthony Albanese ka pranuar një ftesë, ashtu si kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Një numër i guvernatorëve të përgjithshëm që shërbejnë si përfaqësues të monarkut në një mbretëri të Commonwealth-it pritet të marrin pjesë me udhëheqësit e vendeve të tyre.

Po ashtu kryeministri i Bangladeshit Sheikh Hasina dhe presidenti i Sri Lankës Ranil Wickremesinghe thuhet se kanë pranuar ftesat.

Sakaq, India do të përfaqësohet nga Presidenti Droupadi Murmu.

Liderë të tjerë botërorë

Udhëheqës të tjerë botërorë që thuhet se kanë pranuar ftesat përfshijnë Micheal Martin, presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe presidentin italian Sergio Mattarella si dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk-Yeol dhe ai brazilian Jair Bolsonaro kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre.

Udhëtimi pritet të bëhet edhe nga perandori japonez Naruhito, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Edhe presidenti kinez Xi Jinping ka marrë një ftesë.

Kurse Republika Islamike e Iranit, prej kohësh subjekt i sanksioneve ndërkombëtare për programin e saj bërthamor, do të përfaqësohet vetëm në nivel ambasadori.

Të pa ftuar

Ndërkohë, përfaqësues nga Siria, Venezuela dhe Afganistani nuk janë ftuar.

Kjo pasi Mbretëria e Bashkuar nuk ka marrëdhënie të plota diplomatike me këto vende.

Askush nga Rusia, Bjellorusia dhe Myanmar nuk është ftuar.

Marrëdhëniet diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë janë shembur që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Ndërsa Koreja e Veriut dhe Nikaragua janë ftuar të dërgojnë vetëm ambasadorë, jo krerët e shteteve.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore