Lajme

50 qytetarë të Kosovës udhëtojnë për në Vjenë – Kurti: U hoq një padrejtësi dhe u fitua një e drejtë e madhe


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla gjatë mbajtjes së konferencës për liberalizimin e vizave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, kanë mbajtur një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në ditën e parë të liberalizimit të vizave.

Kurti, në fjalimin e tij ka deklaruar se mbrëmë pas orës 00:00, ka hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave duke thënë se “është hequr një padrejtësi që i është bërë Kosovës”.

“Kjo ditë është e rëndësishme. Po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet edhe një e drejtë e madhe. Bashkë me të po forcohet edhe pasaporta jonë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, është forcim i dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa ka potencuar se numri i qytetarëve në kuadër të fushatës informuese që do të udhëtoj për në Vjenë është 50.

“Ata e fituan këtë të drejtë në kuadër të fushatës tonë informuese”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, “ky mëngjes nuk ka pasur si të nis më mbarë”.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi para gazetarëve për pritjet që janë bërë nga qytetarët deri tani para ambasadave.

“Sa kohë është humbur edhe në mërgatë duke siguruar ftesa. E dini se sa para janë shpenzuar për dokumente dhe procedura. E dini se sa jo dinjitoze kanë qenë pritjet në rrugë”, ka thënë ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Nga 1 janari i 2024-ës, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të zonës Schengen.

Të hënën, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, do të organizohet udhëtimi i parë pa viza për fituesit e një kuizi të Bashkimit Evropian, që është organizuar në kuadër të një fushate informuese të institucioneve lidhur me liberalizimin e vizave.

Në këtë aeroport janë parë qytetarë që po presin të shfrytëzojnë heqjen e regjimit të vizave.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.

Nga profesionist të shumtë liberalizimi i vizave për Kosovën është parë si paralajmërim për largimin e kuadrove profesionale në sektor të ndryshëm.

Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen.

Të njëjtat arsyetime vazhdojnë edhe sot.

Hiqen vizat për Kosovën në zonën Schengen

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore