5 shqiptarë janë plagosur nga aksidenti hekurudhor në Greqi, shkon në 40 numri i viktimave

Vitjon Nina
01.03.2023 12:54
Loading Icons...

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë me dije se pas aksidentit tragjik hekurudhor të ndodhur në Greqi orët e para të mëngjesit të 1 marsit, ku 40 persona kanë humbur jetën deri tani, nuk ka viktima shqiptare.

Megjithatë, pesë persona kanë mbetur të lënduar dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Përplasja kokë më kokë e dy trenave, ka lënë po ashtu të plagosur mbi 80 persona, të cilët po marrin përkujdes mjekësor.

Ngjarja ka ndodhur pranë qytetit të Larissa-s dhe siç është raportuar nga autoritetet vendore, një tren pasagjerësh dhe një mallrash janë përplasur, duke shkaktuar aksidentin e rëndë.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka bërë me dije se impakti ndodhi pasi dy mjetet e transportit kishin udhëtuar në të njëjtat shina treni, pa u lajmëruar.

Ndaj, mbi këtë premisë, po merren masat e hetimit për çdo neglizhencë që mund të ketë pasur dhe për të çuar fajtorët përpara drejtësisë.

Njëkohësisht, ai ka shpallur tre ditë zie kombëtare në Greqi.

Pamjet e para nga vendngjarja reflektuan një impakt shumë të fortë mes dy mjeteve të transportit, ku qartësisht vagonë të tërë janë deformuar dhe kanë dalë nga binarët.

Mbi 40 ambulanca u ndodhën në zonën ku ekipet e kërkim-shpëtimit po zhvillojnë punën e tyre lidhur me gjetjen e trupave të njerëzve, të cilët mund të kenë humbur jetën apo të kenë mbijetuar nga përplasja e fuqishme.

Disa prej pasagjerëve nga ana tjetër, të cilët kanë arritur të shpëtojnë, e përshkruan ndodhinë si “një shpërthim shumë të fortë”, ku ka edhe nga ata të cilët e reflektojnë si një “ferr 10 sekondësh, e më pas panik, zjarr dhe kaos”.

Teksa ngjarja e ndodhur gjatë orëve të natës shkaktoi shqetësim te qytetarët, lajme të këqija vijojnë të vijnë edhe nga ekipet e shpëtimit, ku pas pesë orësh, ata kanë theksuar se vijojnë të gjejnë trupa njerëzish.

“Kjo është tragjike! Jemi pesë orë pas aksidentit dhe vazhdojmë të gjejmë trupa. Po jetojmë një tragjedi të vërtetë”, tha për mediat vendore një prej vullnetarëve, i cili është i angazhuar me operacionet, duke shtuar se në jetën e tij, nuk ka parë ndonjëherë ngjarje të tillë.

Lidhur me këtë, mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga zyrtarët e lartë shtetërorë, ku i parë ka qenë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili i ka shprehur familjarëve të viktimave ngushëllimet e ndjera dhe shërim të shpejtë të lënduarve.

Begaj po ashtu ka dhënë një mesazh, i cili thekson se shqiptarët dhe ai vetë, gjenden me popullin grek në këto çaste të vështira.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama, e ka përcaktuar si një ngjarje të trishtueshme atë të Greqisë, duke ndarë edhe dhimbjen dhe solidarizimin me popullin grek.

“E ndjejmë dhimbjen e fqinjve tanë të dashur në këtë orë kaq të vështirë për popullin e tyre dhe i bashkohemi lutjeve dhe ngushëllimeve për familjarët e viktimave”, shkruan ai në Twitter.

 

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe mesazhi i kryediplomates shqiptare, Olta Xhaçka, e cila i ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve.

Të fundit

Aktuale