
Të shtunën e 20 nëntorit është shënuar 49 vjetori i fillimit të punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Kongresi kishte zhvilluar punimet e tij nga 20 deri më 25 nëntor të vitit 1972, ku të pranishëm ishin 87 albanologë (delegatë) nga mbarë trevat shqiptare, pra nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe arbëreshë nga Italia.
Qëllimi i Kongresit ishte të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar.
Gjuha letrare u krijua që shqiptarët të kuptoheshin më lehtë me njeri-tjetrin dhe të vihej një standard i përhershëm drejtshkrimor.
Në unifikimin e standardeve të gjuhësh shqipe, rol përcaktues ka pasur delegacioni nga Shqipëria.
Kongresi i Drejtshkrimit kishte konstatuar se Shqipja letrare kishte hyrë në fazën më të lartë të zhvillimit të saj dhe se ajo sipas delegatëve funksionon si një gjuhë letrare e përbashkët dhe e njësuar në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore.
Nga Kongresi pesëditor ishte nxjerrë një rezolutë ku ndër të tjera thuhej se rregullat e drejtshkrimit të mbështeten sa më gjerë në trajtat e përbashkëta të gjuhës kombëtare shqipe.
Ndera disa nga delegatët kryesor n kongres ishin: Historiani Prof.Aleks Buda, Prof.Androkli Kostallari, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT në Tiranë, Prof.Bedri Dedja, Zv-Ministër i Arsimit dhe i Kulturës, Prof.Dhimitër Shuteriqi, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, Prof.Eqrem Çabej, Gjuhëtar, Prof.Idriz Ajeti, Dekan i Fakultetit Filozofik në Prishtinë, Prof.Josif Ferrari, Studiues arbëresh dhe profesor i gjuhës në Bari etj.
/Albanianpost.com