Lajme

40 vjet nga plagosja e Papa Gjon Palit të II-ë


Ai ishte Papa i parë në 456 vjet, i cili nuk ishte me origjinë italiane dhe udhëhiqte mbi 600 milionë besimtarë katolikë në lutjet e tyre.

Më 13 maj 1981, azilanti turk Mehmet Ali Agca, do të qëllonte katër herë ndaj tij, nga të cilat një plumb, u kaloi shumë pranë organeve jetike.

40 vjet më parë, Papa Gjon Pali i II-ë do të ishte në qendër të një atentati, i cili do t’i mbetej historisë.

Ngjarja ndodhi përpara fillimit të përjavshëm të dëgjesës në sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

Nga katër plumbat e dalë nga arma e Ali Agca-s, dy goditën Papën – njëri në pjesën e barkut, duke kaluar shumë pranë organeve jetësore dhe tjetri në dorën e tij të majtë.

Dy goditjet e tjera shkuan njëra për një 60-vjeçare amerikane dhe tjetra për një të re 21-vjeçare nga Jamaica.

Papa u shoqërua menjëherë për në spital. U desh një operacion pesë orësh për ta shpëtuar atë.

Katër ditë pas ngjarjes, ai e fali atentatorin e sulmit e tij nga krevati i spitalit. Krevat, në të cilin kaloi tri javë, përpara se të rikuperohej plotësisht nga plagët dhe ta linte shtratin.

Si u zhvillua atentati?

Arsyeja e atij atentati ndaj Papës, mbetet ende një mister sot. Agca, në vitet 1970, i ishte bashkuar grupit terrorist të kahut të djathtë, Gray Wolves, në Turqi. Një grup, i cili është shpallur fajtor për vdekjen e qindra personave, me qëllim zhdukjen e ideologjive të majta në Turqi.

Më parë, Agca kishte lënë një letër, në qelinë e një burgu nga i cili ishte arratisur.

“Imperialistët socialistë, të cilët kanë frikë nga zhvillimi i Turqisë, po dërgojnë komandantin e kryqëzatës së tyre, Papa Gjon Palin e II-ë”, i referohej ai udhëtimit që Papa do të ndërmerrte në Turqi.

Kjo letër u la në nëntor 1979 në atë qeli. Thuajse dy vjet më vonë, ai udhëtoi nga Majorca e Spanjës drejt Milanos, aty ku dhe kreu krimin.

Në korrik 1981, Agca u dënua me burgim të përjetshëm, pasi pranoi se kishte vepruar i vetëm.

Pavarësisht këtij sulmi, Gjon Palli i II-ë i mbijetoi agresionit dhe jetoi edhe për 24 vjet të tjera. Në shkurt 2005, ai u hospitalizua për shkak të komplikacioneve të gripit.

Më 2 prill 2005, Gjon Pali i II-ë u largua nga kjo jetë, pas 27 vjetësh papat. Karol Wojtyla do të kujtohet si një ndër Papat më karizmatikë të shekullit XX.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore