Lajme

40 vjet nga lufta për Ishujt Falkland – Argjentina do relaksim raportesh me Britaninë e Madhe


Ishujt Falkland

Raportet ndërshtetërore të Britanisë së Madhe me Argjentinën do të jenë të ndrydhura përderisa Britania refuzon të përfshihet në diskutimin për sovranitetin e Ishujve Falkland, apo nëse të dyja vendet vazhdojnë të veprojnë sikur lufta të kishte ndodhur dje, ka thënë ministri i punëve të jashtme i Argjentinës.

Në një shkrim në Guardian në 40 vjetorin e invazionit argjentinas të ishujve, në prill të vitit 1982, Santiago Cafiero, ka thirrur për një përmirësim në raportet bilaterale.

Në një deklaratë shumë të rëndësishme ai ka shkruar se trajtimi i Britanisë së Madhe ndaj Argjentinës nganjëherë i ngjan trajtimit që i jepet një vendi që shkel normat themelore të të drejtave të njeriut dhe jo një kombi që është demokraci që 40 vjet.

“Ne besojmë se asnjë rezultat i ndonjë lufte nuk mund të zgjidhë një mosmarrëveshje të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Konflikti i vitit 1982 nuk e ndryshoi natyrën e mosmarrëveshjes midis të dy vendeve, e cila është ende në pritje të negociatave dhe zgjidhjes”.

Ministri i Jashtëm gjithashtu thekson se para invazionit të papritur të diktaturës argjentinase, ka pasur 16 vjet negociata rreth substancës së sovranitetit të ishujve që për bazë merrte interesat e banorëve të atij vendi.

Të qëndrojmë kështu, duke pretenduar se nuk ka asnjë problem dhe se nuk krijon probleme në raportet tona “është më së naive”.

Ai shtoi se “dy vendet ndajnë vlera të njëjta dhe një vizion të njëjtë për rendin botëror. Dhe prapë, në agjendën për Atlantikun Jugor, sillemi sikur konflikti të kishte ndodhur dje”.

Santiago Cafiero, ministri i jashtem argjentinas

Invazioni i Argjentinës në atë kohë e kishte zënë Britaninë krejtësisht të papërgatitur dhe në surprizë.

Për shkak të diferencave në politikën e brendshme në Britani, junta ushtarake argjentinase kishin besuar se kryeministrja e atëhershme Margaret Thatcher nuk kishte burimet, vendosmërinë dhe mbështetje diplomatike për të ndërmarrë një aksion për ishujt.

Por, ministri argjentinas thotë se kohët kanë ndryshuar dhe se Argjentina moderne s’është kërcënim për askënd.

“Përkundër kësaj, Britania vazhdon të ketë një bazë ushtarake në Atlantikun Jugor, mban ushtrime ushtarake periodike në vendet e kontestuara dhe ka ndalesa për shitjen e armëve të saj qeverisë së Argjentinës”.

Ministri shton se këto ndalesa janë vetëm për vendet që shkelin të drejtat njerëzore, prandaj është shumë e pakuptueshme se si të njëjtat vlejnë edhe për Argjentinën.

Prej kohës kur kishte ndodhur konflikti, Britania kishte mbyllur fluturimet në mes të Ishujve dhe Argjentinës dhe qeveria argjentinase po kërkon të rihapen, me idenë se lëvizja dhe tregtia e përbashkët do të thoshte afrim nga një zgjidhje finale dhe rehabilitim të përhershëm raportesh.

Por, qeveria britanike nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave/dëshirave të argjentinaseve.

Harta: Distanca mes Argjentines dhe Ishujve Falkland

Në vitin 1982 Argjentina kishte pushtuar ishujt, por vetëm pas dy muajsh Britania ktheu administratën e saj. Qytetarët e Ishujve Falkland, në një cencus të vitit 2016 janë deklaruar 99.8% britanikë.

Popullsia e Ishujve është rreth 3500 banorë. Territori vazhdon të mbetet një çështje e kontestuar në mes të Britanisë dhe Argjentinës, por aktualisht qytetarët e ishujve konsiderohen shtetas britanikë. Edhe prejardhja e banorëve aktualë është kryesisht britanikë dhe suedezë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore